Spitali Memorial Fier gati, Manastirliu: Një pol i ri shërbimi për qytetarët, modeli i parë i autonomisë spitalore

Shqipëria

Spitali Memorial Fier gati, Manastirliu: Një pol i ri shërbimi për qytetarët, modeli i parë i autonomisë spitalore

Më: 21 prill 2021 Në ora: 13:01
Foto ilustrim

Spitali Memorial Rajonal Fier ka përfunduar plotësisht dhe do të jetë gati për t’u hapur së shpejti. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka prezantuar nga brenda spitalin e ri, i financuar nga qeveria e Republikës së Turqisë.

“Ky spital, një strukturë moderne me 150 shtretër, do të rrisë aksesin për shërbimet spitalore. Një spital i cili do të plotësojë nevojat e rajonit jugor të Shqipërisë por edhe do të kombinojë shërbimet, për të lehtësuar edhe për të krijuar akses më të shpejtë për shërbime të cilët janë të planifikuara dhe këtu, pra mund të krijohet një shpejtësi në marrjen e shërbimeve, por mbi të gjitha një shërbim të specializuar”, tha Manastirliu.

Spitali Memorial Rajonal Fier do të jetë spitali parë ku do të zbatohet autonomia spitalore, një mënyrë e re menaxhimi spitalor, për të cilën Manastirliu tha se do të bëhet dhe transferimi i dijeve nëpërmjet stafeve që kanë ardhur dhe do të vijnë.

“Ky spital do të materializojë vizionin tonë për sistemin e menaxhimit spitalor, që është autonomia spitalore. Ne jemi duke u përgatitur për gjithë ndryshimet e nevojshme për përfitimin e kartës së autonomisë spitalore nga spitalet që plotësojnë të gjithë kushtet e infrastrukturës dhe kanë dhe teknologjinë. Dhe ky është spitali ku do të aplikohet për herë të parë ky model. Është padyshim një ndër spitalet me nivelin më të lartë të teknologjisë. Jo vetëm se është teknologji e re, por edhe se transferimi i dijeve që do të bëhet nëpërmjet stafeve që po vijnë dhe janë duke ardhur nga Turqia”, tha Manastirliu.

Duke folur për stafin që do të shërbejë në këtë spital, Manastirliu tha se përzgjedhja ka qënë përmes një procesi transparent dhe meritokratik dhe në këtë spital do të shërbejnë 398 punonjës, ndërkohë që rekrutimi i personelit shëndetësor dhe administrativ vazhdon.

“Kemi filluar në fazën e parë të përzgjedhjes të stafit mjekësor dhe infermieror. Dhe do të kalojmë direkt në stafin administrativ. Por risia në këtë strukturë apo në këtë mënyrë të re menaxhimi të spitalit është që do të jetë një bashkëpunim dhe një menaxhim në bashkëpunim me kolegët turq. Janë në tërësi 398 punonjës në këtë spital dhe 56 prej tyre janë planifikuar që të vijnë nga sistemi shëndetësor turk, qofshin këta profesorë të shërbimeve të ndryshme dhe gjithashtu dhe stafi drejtues administrativ”, ka bërë me dije Manastirliu.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut.
Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat