Dyshimet për vaksinën kineze, mjeku: Ka vetëm 67% efektivitet kundër simptomave dhe 80%…

Shqipëria

Dyshimet për vaksinën kineze, mjeku: Ka vetëm 67% efektivitet kundër simptomave dhe 80%…

Më: 22 prill 2021 Në ora: 09:28
Foto ilustrim

Vaksina kineze nuk ofron mbrojtje të plotë. Duke iu referuar një studimi të publikuar së fundmi në Kili, vendi që ka aplikuar masivisht vaksinën “Coronavax”, mjeku Erion Dasho vë në dukje se kjo vaksinë ka efektivitet kundër humbjes së jetës vetëm 80 për qind dhe jo 100 për qind sikundër është pretenduar nga autoritetet shëndetësore.

“Propaganda e Boratit që nga momenti kur nisi vaksinimi elektoral me vaksinën ‘CoronaVac’ ishte se kjo vaksinë mbron 100% nga vdekjet. Nga njëra anë, mali i kritikave drejtuar ‘CoronaVac’ lidhej me mbrojtjen e ulët nga infeksioni, pra, me pamundësinë për të ndihmuar në krijimin e imunitetit të grupit, me mungesën e certifikimit nga EMA dhe FDA, me faktin që vetë prodhuesit pranuan pas shumë muajsh mungesën e efektshmërisë së vaksinës dhe me faktin që vaksinat në Shqipëri po silleshin nëpërmjet një ndërmjetësi.

Një studimi i sapopërfunduar në Kili tregoi se vaksina ‘CoronaVac’ ka vetëm 67% efektivitet kundër simptomave (kundër infektimit pritet të jetë shumë më e ulët se kaq) dhe vetëm 80% efektivitet kundër vdekjeve”, ka shkruar doktori. Sipas tij, në këto kushte nevojitet që personat e vaksinuar të mos neglizhojnë masat dhe të tregohen të kujdesshëm pasi rreziku vijon të jetë prezent. “Sot mund të thuhet me siguri se ‘miti’ i mbrojtjes 100% të personave të vaksinuar me ‘CoronaVac’ sot ka rënë! Komiteti politik i të paaftëve duhet të njoftojë urgjentisht personat që janë vaksinuar me ‘CoronaVac’ të vazhdojnë respektimin e të gjithë masave mbrojtëse. Ata u përkasin shtresave më vulnerabël të popullatës dhe çdo ekspozim ndaj SARS-CoV-2 i rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën”, apelon Dasho.

SITUATA

Në lidhje me situatën, edhe të dhënat për 24 orët e kaluara dëshmojnë një rënie të ndjeshme të shkallës së infeksionit, tendencë kjo që ka nisur të vërehet që prej gjysmës së dytë të muajit mars. Të martën janë regjistruar vetëm 138 raste të reja nga rreth 2600 testime të kryera. Çka do të thotë se vetëm 5.3 për qind e personave të testuar kanë rezultuar të infektuar. “Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 35 raste në Tiranë, 12 raste në Gjirokastër, 8 raste në Shkodër, 5 raste në Devoll, Skrapar, 4 raste në Durrës, Fier, Elbasan, Pogradec, Malësi e Madhe, 3 raste në Korçë, Lezhë, Vlorë, Pukë, Mirditë, Berat, Kamzë, Sarandë, Peqin, Poliçan, 2 raste në Lushnjë, Tropojë, Mallakastër, Librazhd, Vau i Dejës, Divjakë, Belsh, Gramsh, Këlcyrë, Konispol, 1 rast në Kuçovë, Vorë, Dropull”. Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë shëruar 465 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 103,066 që nga fillimi i epidemisë.

HUMBJET E JETËS

Në raport me të martën, dje ka pasur një rritje të rasteve fatale. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 5 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 2 qytetarë nga Shkodra, 1 qytetar nga Lezha, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Elbasani, të moshave 56-83 vjeç”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Sa i takon situatës në spital, shifrat e pacientëve të shtruar vijojnë të pësojnë rënie. Sipas ministrisë, aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tri spitalet rajonale po trajtohen 160 pacientë, 16 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Rënia e shtrimeve ka bërë që të mbyllen dy nga strukturat e dedikuara në kryeqytetet për trajtimin e rasteve me koronavirus, përkatësisht spitali COVID-4 (ish universiteti ‘Kristal’) dhe spitali COVID-3 (ish-Kirurgjitë në QSUT).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat