DW: Shqipëri, hetime për incidentin e rëndë gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021

Shqipëria

DW: Shqipëri, hetime për incidentin e rëndë gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021

Më: 22 prill 2021 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Një ngjarje e rëndë në Elbasan me pasojë vdekjen e një personi hedh hije mbi fushatën elektorale në Shqipëri. Njoftohet se kanë filluar hetimet.

Në Shqipëri kanë filluar të enjten (22.04) hetimet për ngjarjen e rëndë, që ndodhi të mërkurën, (21.04)  në qytetin e Elbasanit, gjatë fushatës elektorale për Zgjedhjet Parlamentare, 2021, që zhvillohen këtë të dielë, më 25 prill. Gjatë një konflikti me armë mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, 56 vjeꞔ, dhe u plagosën 5 persona të tjerë. Policia ka  arrestuar 15 persona dhe autorin e vrasjes, Arbër Paplekaj, që u vetëdorëzua. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë për DW se "ekspertë të hetimit të krimeve kundër personit  dhe pasurisë kanë administuar provat materiale për të zbardhur ngjarjen.”

Rrethanat e ngjarjes së rëndë sipas policisë dhe palëve

Policia e Shtetit, pas marrjes në pyetje të personave të arrestuar ka zbardhur të enjten, (22.04) rrethanat, në të cilat ndodhi ngjarja e rëndë në prag të zgjedhjeve të së dielës. Sipas saj, strukturat e PD në Elbasan kanë njoftuar policinë se një furgon pa targa po shpërndante para dhe po blinte vota. Furgonat me logon e PD i kanë  bllokuar atij rrugën dhe të dyja palët kanë pritur të vinte policia. Pas shkëmbimit të fyerjeve dhe sharjeve mes tyre, situata është rënduar duke arritur në të shtëna armësh nga të dyja palët. Policia bën me dije se nga kontrolli i saj në furgonin e dyshuar për shpërndarje parash rezulton të ketë patur vetëm postera.

I arrestuari Arbër Paplekaj, si autor i  vrasjes së Pjerin Xhuvanit, rezulton të jetë ish-pjesëtar i forcave speciale të Policisë së Shtetit, i angazhuar në fushatën e PD dhe pjesë e ekipit të Gazmend Bardhit. Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie, drejtues politik për fushatën në qarkun e Elbasanit. Ndërsa viktima, Pjerin Xhuvani, ka qenë i angazhuar në fushatën e PS po në qarkun e Elbasanit

Gazmend Bardhi deklaroi mbrëmë (21.04) se PD ka ngritur "Struktura për Mbrojtjen e Votës” (SMV) me ish.punonjës të policisë dhe autori i vrasjes, që u vetëdorëzua në polici, Arbër Paplekaj, është anëtar i kësaj strukture për qarkun e Elbasanit”. Duke paraqitur rrethanat e ngjarjes, ai tha, se "SMV informoi që një furgon pa targa, në grupin e fushatës së PS, po shpërndante para në këmbim të votave dhe po mblidhte karta identiteti. Anëtarët e SMV në Elbasan, bllokuan lëvizjen e furgonit dhe kërkuan ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, të qarkut të Elbasanit.”

Kurse Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Socialistëve akuzon Partinë Demokratike për dërgimin e "grupeve paramilitare me njerëz të armatosur nga qytete të tjera për të frikësuar votuesit në Elbasan”. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, dy nga të plagosurit rezultojnë të jenë ish-punonjës të policisë dhe anëtarë të SMV në Elbasan,  dy të tjerët janë një oficere e policisë dhe një aktivist i PS dhe personi i pestë, sipas medias lokale në Elbadan,  po mjekohet në shtëpi duke iu shmangur identifikimit nga policia.

Reagime pas ngjajes së rëndë

Kryeministri Rama bëri thirrje mbrëmë për qetësi dhe durim, Ai theksoi se "zgjedhjet e 25 Prillit , të dielën do të bashkojnë shqiptarët”. Reagime pati edhe nga SHBA dhe BE, që u bënë mbrëmë thirrje drejtuesve kryesorë politikë të "të jenë të përmbajtur dhe të refuzojnë në mënyrë të qartë dhunën" para zgjedhjeve. Ambasada amerikane në Tiranë në reagimin e saj thekson që "zyrtarët, në zbatim të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t'i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen.”

Delegacioni i BE në Shqipëri thekson në reagimin e tij që "akti i dhunshëm në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi,, autoritetet kompetente duhen të bëjnë  të qarta përgjegjësitë”. Delegacioni i BE bën thirrje "për përmbajtje, shmangie të dhunës, retorikës nxitëse dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar tëfushatës elektorale".

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, në intervistën ekskluzive për DW, lidhur me Zgjedhjet Parlamentare 2021 në Shqipëri, u bëri thirrje aktorëve të përfshirë në këto zgjedhje që të “kenë të qartë se retorika agresive dhe gjuha e urrejtjes nuk mund të kenë vend. Respekti i ndërsjelltë dhe gatishmëria për dialog duhet të vlejnë edhe në kohë fushatash zgjedhore. Zgjedhjet e  lira, të drejta, transparente dhe paqësore janë pritshmëria e ꞔdo shqiptareje dhe shqiptari.”/DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat