Senatorët amerikanë i bëjnë thirrje popullit në Shqipëri të votojë në zgjedhje

Shqipëria

Senatorët amerikanë i bëjnë thirrje popullit në Shqipëri të votojë në zgjedhje

Më: 22 prill 2021 Në ora: 19:32
Dy të reja duke ecur në Tiranë.

Senatorët amerikanë Bob Menendez dhe Jim Risch, i kanë bërë thirrje popullit në Shqipëri që të votojë në zgjedhjet e 25 prillit.

Të dy senatorët, të cilët janë pjesë e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, po ashtu u kanë bërë thirrje autoriteteve që të sigurojnë se votuesit do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore në mënyrë të lirë, pa u përballur me frikësim dhe dhunë.

“Ne presim nga të gjithë kandidatët që të veprojnë në përputhje me normat demokratike edhe kur bëjnë fushatë të vrullshme. Miqtë e Shqipërisë në Amerikë janë më të përkushtuar se kurrë që të mbështesin një të ardhme demokratike dhe të begatshme për popullin shqiptar”, është thënë në deklaratën e tyre.

Më 21 prill, një ish-zyrtar i partisë opozitare ka mbetur i vrarë dhe një police është plagosur në qytetin e Elbasanit, në një përleshje të armatosur duke shënuar incidentin më serioz, disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Viktima është identifikuar si Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, ish-zyrtar i Lëvizjes Socialiste në Elbasan.

Sipas raportimeve, vrasësi i Xhuvanit është Arbër Papleka, i cili është mësuar se ka qenë edhe truproja i Gazmend Bardhit, koordinatorit të Partisë Demokratike në Elbasan, por edhe ish-pjesëtar i forcave speciale të policisë RENEA.

Ai është arrestuar nga Policia e Shqipërisë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë të mërkurën se qarku i Elbasanit është një nga rajonet më problematike në Shqipëri.

“Ajo që është shqetësues në Elbasan është se shumica e krimeve zgjedhore deri tani që janë denoncuar i takojnë qarkut të Elbasanit”, ka thënë Meta.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve për zbatimin e ligjit të jenë në krye të detyrës dhe të shkëpusin çdo lidhje apo preferencë partiake.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat