Fatmir Mediu mbështet hapur ish-kryeministrin Berisha: Do votoj numrin 5

Shqipëria

Fatmir Mediu mbështet hapur ish-kryeministrin Berisha: Do votoj numrin 5

Më: 22 prill 2021 Në ora: 23:49
Fatmir Mediu

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka folur për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.

Ai theksoi në emisionin “Ilva Now” se kryeministri Edi Rama synon të bëjë gjithçka për të mbajtur pushtetin, qoftë edhe duke vjedhur zgjedhjet.

“Edi Rama nuk heq dorë nga vjedhja e zgjedhjeve, nuk heq dorë nga pushteti. Ai do të bëjë çdo gjë. Nëse shqiptarët nuk e kanë kuptuar Edi Ramën se sa i marrë është në raport e pushtetin nuk kemi kuptuar asnjë gjë”, tha ai.

Por pavarësisht problematikave, z.Mediu thotë se qytetarët shqiptarë duan që t’i japin fund një orë me më parë qeverisjes së PS-së.

“Ka një frymë pozitive të qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund këtij pushteti, i cili ka larguar të rinjtë profesionistë. Mbi 93% e të rinjve që kanë studiuar jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri. Çdo fëmijë që lind sot në Shqipëri lind me një borxh 5600 euro për shkak të politikave idiote dhe absurde që ka bërë Edi Rama. Në këtë pikëpamje, marrëdhëniet me këtë qeverisje janë vendosur, prandaj Edi Rama fut njerëz për të blerë vota”, tha ai.

Lidhur me deklaratën e z. Basha se në qeverisje e tij nëse fiton zgjedhjet nuk do të ketë asnjë person që ka qenë ministër, z. Mediu bëri këtë koment: “Për mua nuk ka ndonjë qamet, por kjo nuk do të thotë që duhen përjashtuar autoritetet politike, të cilat kanë luftuar për të përfaqësuar elektoratin e tyre dhe për të pasur peshë dhe rol në qeveri”, tha ai.

“Opozita ka mbi 21 mandate në Tiranë edhe me LSI. Në nivel kombëtar do mendoj se do ketë një fitore me një diferencë të konsiderueshme. Padyshim mbi 71 mandate, nuk besoj se do ketë më pak se 71, kur them mbi 71, them mbi 76, kjo është bindja ime”, theksoi Mediu.

Ai pohoi se më 25 prill për votën preferenciale do të votojë për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili në listën e PD-së mban numrin 5.

“Unë vetë ndaloj tek 5. I vlerësoj të gjithë ata njerëz që kanë kontribuar për këtë vend. Po do bëj një kompromis, po votova vetë për 5, do t’u kërkoj të tjerëve të votojnë për 7. Unë kam dy njerëz në jetën time që i vlerësoj shumë. Njeri është Sabri Godo, i cili ka qenë mësuesi im politik, njeri i jashtëzakonshëm dhe z. Berisha si shtetar, i cili ka bërë për Shqipërinë gjëra të jashtëzakonshme dhe ne duhet të vlerësojmë të mirat”, tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat