Arrestimet për blerje votash në Dibër/ Kandidati i LSI: Dy herë skandal manipulimi i Rilindjes

Shqipëria

Arrestimet për blerje votash në Dibër/ Kandidati i LSI: Dy herë skandal manipulimi i Rilindjes

Më: 23 prill 2021 Në ora: 16:46
Përparim Spahiu

Kandidati për deputet i LSI-së Përparim Spahiu e ka konsideruar dy herë skandal faktin që sipas tij “Rilindja është kapur me presh në duar duke vjedhur vota në Dibër dhe nuk pendohet”.

Spahiu e konsideroi si qëndrim qesharak atë të PS-së në Dibër, që deklaroi se ngjarja nuk ka lidhje me personin në fjalë Denis Xholi.

“Por, mafia nuk pranon kurrë që ka bërë krime.  Ndaj, dhe Rilindasit në mënyrë groteske e hedhin kopilin në ferrë me argumentin “s’është i yni“”, ironizon Spahiu.

Në reagimin e mëhershëm të PS-së thuhej: “Pas verifikimeve të hollësishme ne konkluduam se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS. Ai është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie”.

Deklarata e Përparim Spahiut

Rilindja e kapur me presh në duar duke vjedhur vota nuk pendohet!

Eshtë 2 herë skandaloz fakti i tentativës për blerje votash në Maqellarë nga drejtori juridik i Bashkisë Bulqizë që u kap me lekë e fletë votimi në makinë.

Skandali i parë është që rasti i Maqellarës ku blerësi i votave tani gjendet nën arrest, tregon mentalitetin grabitës dhe manipulues të Rilindjes. Ata nuk heqin dorë nga vjedhja e votës!

Skandali i dytë është qëndrimi qesharak i PS Dibër, që në vend se të kërkojë ndjesë për turpin e madh, pretendon se nuk ka lidhje me personin në fjalë, Denis Xholi.

Zotëria është përfaqësues i PS, blinte vota për PS, është funksionar në bashkinë e drejtuar nga PS. Ai është ndaluar në një akt kurajoz të qytetarëve të Maqellarës. Ai është kapur me presh në dorë! Ndaj gjendet i arrestuar!

Por, mafia nuk pranon kurrë që ka bërë krime.

Ndaj, dhe Rilindasit në mënyrë groteske e hedhin kopilin në ferrë me argumentin “s’është i yni”.

Populli është në këmbë!

Asnjë tentativë kriminale për blerje votash nuk do të tolerohet!

Mos i hidhni benzinë zjarrit. Lërini qytetarët e Dibrës dhe gjithë Shqipërisë të votojnë të lirë!

Ndryshimi i madh po troket, jemi gati!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat