Tentuan të blenin vota për PS, burg dy sekserëve të votave

Shqipëria

Tentuan të blenin vota për PS, burg dy sekserëve të votave

Më: 24 prill 2021 Në ora: 19:33
Foto ilustrim

“Arrest me burg” ka qenë masa e sigurisë që Gjykata e Dibrës dha për dy personat e arrestuar në Maqellarë, të cilët po tentonin të blinin vota për Partinë Socialiste.

Në seancën e zhvilluar këtë të diel, trupi gjykues pranoi kërkesën e Prokurorisë për të mbyllur në qeli juristin e Bashkisë Bulqizë, Denis Xholin si dhe 25-vjeçarin Abjon Ceku.

Dy të akuzuarit u ndaluan dy ditë më parë nga simpatizantë të Partisë Demokratike, teksa po lëviznin me një makinë. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, policia gjeti 5 milionë lekë të vjetra, materiale udhëzuese për të votuar si dhe postera elektoral.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Policia e Tiranës, pas publikimit të videos, ku përfaqësues të LSI tentonin të blinin vota për zgjedhjet e 25 prillit, ka ndaluar aktivistin e kësaj force, Edison Babon, ndërsa ka shpallur në kërkim kandidatin për deputet në Tiranë, Etion Jokën.

Ndaj tyre rëndon akuza e korrupsionit “aktiv dhe pasiv në zgjedhje”, ndërsa hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

Po ashtu, edhe në Maliq, tre persona, mbështetës të Partisë Demokratike u proceduan penalisht, pasi i bllokuan gjatë orëve të mbrëmjes rrugën administratorit të njësisë Vreshtas, Qezar Bezati me pretendimin se në automjet kishte lekë për të blerë vota.

Sipas policisë, nga verifikimet e kryera në mjet nuk u gjet asnjë send kompromentues, në lidhje me procesin zgjedhor.

Nën akuzë u vendosën dhe pesë simpatizantë të PD në dibër, pasi ndaluan në fshatin burim punonjësen e postës e cila po shpërndante pensionet me pretendimin se po blinte vota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat