Në qendrën e votimit ku votoi Boiken Abazi nuk punonte pajisja

Shqipëria

Në qendrën e votimit ku votoi Boiken Abazi nuk punonte pajisja

Më: 25 prill 2021 Në ora: 09:30
Boiken Abazi

Të drejtën e tij për të votuar sot e ka shfrytëzuar edhe kandidati i pavarur për deputet të Shqipërisë, Boiken Abazi. E meqenëse në qendrën e votimit “Gustav Mayer” , në Tiranë, ku ai po votonte pajisja elektronike për identifikimin e gishtërinjve nuk punonte, votimi i tij shkoi pak me vonesa, por përkundër kësaj ai tha se këto lloj pengesa nuk ndikojnë në shprehjen e vullnetit të qytetarëve.

Abazi iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë.

Abazi: Nuk punonte makineria e shenjave të gishtërinjve, uroj që dita e sotme të shkoj mbarë

“Jo shumë peripeci por pak me vonesa se nuk punonte makineria që merrte shenjat e gishtërinjve fillimisht dhe si duket edhe qytetarët që po prisnin u mërzitën dhe u lodhën, megjithatë askush nuk u largua në fund kur e pash të gjithë ndejtën dhe e hodhën votën e tyre...uroj që dita sot të shkoj sa më mbarë siç ka nisur me këtë mot të mirë dhe iu bëjë thirrje gjithë qytetarëve të vijnë dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe të votojnë sot”, u shpreh Abazi.

I pyetur, se a janë shqetësuese këto lloj pengesa, Abazi tha se nuk beson që këto do ta pengojnë shprehjen e vullnetit të lirë të qytetarëve.

Në këtë qendër të votimit në Tirani, fillimisht edhe ekipi i KosovaPress-it, u pengua për të xhiruar dhe për këtë shprehi keqardhja edhe kandidati për deputet, Boiken Abazi.

Abazi: Nuk ishte një sjellje e hijshme e komisionerët veçanërisht në rastin tuaj si medie

“Nuk besoj që këto janë pengesa të atij lloji që e pengojnë shprehjen e vullnetit të lirë të qytetarëve, megjithatë nuk mund të them që deri në fund ishte një sjellje e hijshme ndaj komisionerit veçanërisht në rastin tuaj si medie, kështu që megjithatë më vjen mirë që u sqarua me vjen keq që ndodhi edhe në rastin tuaj dhe iu penguan në punën tuaj por më vjen mirë që u zgjidh...uroj që gjithë qytetarët që po na ndjekin ta shfrytëzojnë ditën për të ardhur dhe për të shprehur vullnetin e tyre duke votuar, të gjithë shtetasit e Shqipërisë kudo qofshin ata i bëjë thirrje të vijnë të gjendjen qendrën e tyre të votimit të mbajnë radhën dhe të votojnë sot”, tha ai.

Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani janë tre nga katër kandidatët e pavarur që garojnë në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri e që mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sot në Shqipëri të drejtë të votës kanë 3,588,869 persona të cilët do të kenë mundësi që të zgjedhin deputetët që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre në katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë.

Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat