Ambasadorët Kim dhe Soreca: Të kënaqur nga pjesëmarrja e lartë në votime

Shqipëria

Ambasadorët Kim dhe Soreca: Të kënaqur nga pjesëmarrja e lartë në votime

Më: 25 prill 2021 Në ora: 16:17
Foto nga vendi i ngjarjes

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim dhe ai i BE-së, Luigi Soreca, ishin këtë të diel në qytetin e Durrësit, ku vëzhguan nga afër procesin e votimit.

Diplomatja amerikane tha se pjesëmarrja e lartë në këto zgjedhje tregon se qytetarëve shqiptare iu intereson vendi i tyre.

“Kemi parë pjesëmarrje të lartë. Kjo tregon se qytetarëve shqiptarë iu intereson vendi i tyre. Janë raportuar disa incidente dhe është përgjegjësi e autoriteteve të hetojnë. Ne e kemi bërë shumë të qartë që të hetohen çështjet deri në fund. Qytetarët janë duke përmbushur detyrën e tyre. Autoritetet janë duke bërë detyrën e tyre. Tani ka ardhur koha që kandidatët dhe drejtuesit politikë të presin për rezultatet dhe të presin gjykimin e popullit.”

Nga ana tjetër, Soreca iu bëri thirrje qytetarëve që nuk kanë votuar ende që të shkojnë e t’iu drejtohen kutive të votimit.

“Në fakt votimi ka ecur kryesisht mirë, pa probleme, pavarësisht disa gjerave të ndryshme që mund të kenë ndodhur, që do të hetohen dhe procedohen. Ka ende 3 orë kohë, ndaj thirrja jonë është për qytetarët e Shqipërisë. E dimë se është një ditë e bukur moti, por duhet të vini të votoni. Pas votimit, ju lutem presim me durim. Po ashtu edhe për udhëheqësit politik. Kini durim dhe respektojeni se cili do të jetë rezultati. Edhe tani që po flasim, kemi ekipe tonat që janë në të gjithë Shqipërisë. Po i ndjekim gjerat nga afër. Votoni, votoni, për të ardhmen e Shqipërisë në BE.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat