Kartat ID në makinën e Klement Xhaferrit provojnë “krimin zgjedhor”! Çfarë pranoi Prokuroria në Gjykatë

Shqipëria

Kartat ID në makinën e Klement Xhaferrit provojnë “krimin zgjedhor”! Çfarë pranoi Prokuroria në Gjykatë

Më: 27 prill 2021 Në ora: 14:54
Foto ilustrim

Arbër Paplekaj, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit është i vetmi nga të arrestuarit pak ditë para zgjedhjeve në Elbasan, që mbeti në burg.

Ky ishte vendimi i Gjykatës së Elbasanit, dhënë dje në seancën për caktimin e masës së sigurisë, që liroi nga qelia 10 të akuzuar të tjerë, mes tyre 9 vullnetarë të PD-së.

Gjykata ka dhënë detyrim paraqitjeje, teksa e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e tyre. Përveç Emiljan Prengës, që e pati të pamundur për shkak të gjendjes shëndetësore, të gjithë të akuzuarit e çështjes së Elbasanit kanë dalë dje para Gjykatës për masën e sigurisë.

Nga konflikti me armë, mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona. E megjithëse kanë kaluar 4 ditë nga ngjarja, Prokuroria nuk e përcakton se kush ka qëlluar i pari gjatë konfliktit dhe nga ana e efektivëve të pranishëm në vendin e ngjarjes është deklaruar vetëm se janë dëgjuar të shtëna.

Në seancë, të paktën nga aq sa rezulton nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë, rezulton i provuar krimi zgjedhor.

KRIMI ZGJEDHOR

Në kërkesën për caktim mase, Prokuroria ka deklaruar se në automjetin e Klement Xhaferrit është gjetur një listë me emra dhe 19 fotokopje të kartave të identitetit.

Klement Xhaferri, pjesë e konfliktit është shpallur në kërkim pas ngjarjes i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë” dhe vijon puna intensive për kapjen e tij. Dhe po kështu, gjatë aksioneve për kërkimin e Xhaferrit janë gjetur në dy banesa serverët e dy kamerave të sigurisë, por ende nuk janë hapur.

Ndërkohë, në makinën e Mehmet Grecës janë gjetur vetëm një listë me emra dhe patronazhistë, por jo karta ID-je.

Po kështu, rezulton se mjeti që përdorte Klement Xhaferri, me të cilin ishte në vendngjarje ishte në pronësi të kompanisë Beko. Por Eldjo Beko, i vetmi i arrestuar nga pala tjetër e konfliktit i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, tentoi ta fshihte këtë fakt.

MASA E SIGURISE

Zëvendësprokurori i Elbasanit, Alfred Shehu, deklaroi se pak ditë më parë, Arjan Hoxha, ish-zyrtar i lartë Policie, i cili ishte shefi i sigurisë së Shtabit për Mbrojtjen e Votës në Partinë Demokratike, ka telefonuar në Policinë e Elbasanit dhe ka pretenduar se kishin dyshime që një qytetar i quajtur Mehmet Greca ishte duke shpërndarë para në këmbim të votës në lagjen “5 Maji”, në Elbasan.

Për këtë arsye ata e kanë bllokuar automjetin pa targa, me të cilin lëvizte ky person, i kanë marrë çelësin dhe nuk e kanë lënë të lëvizte. Prokuroria deklaron se pak minuta më vonë, në vendin e ngjarjes mbërrijnë një numër i lartë i forcave “Shqiponja”, si dhe dy zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, që po kryenin verifikimet për rastin në fjalë.

Sipas prokurorit, papritmas, pa e saktësuar se si dhe në çfarë rrethanash, janë dëgjuar të shtëna armësh dhe ka mbetur i pajetë Pjerin Xhuvani, ndërkohë janë plagosur edhe 4 persona të tjerë. Prokuroria thotë se autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje është Arbër Paplekaj, ish-efektiv i forcave speciale RENEA.

Po sipas kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit, thuhet se Paplekaj, në momentin që po largohej nga vendi i ngjarjes, i ka vënë pistoletën në kokë një qytetari, i cili ishte me të atin, i ka marrë automjetin dhe është larguar në drejtim të repartit të forcave RENEA, në Tiranë, ku është vetëdorëzuar.

Për këtë arsye, ndaj Arbër Paplekajt është ngritur edhe akuza e vjedhjes me armë. Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se është shpallur në kërkim Klement Xhaferri, i cili rezulton se ka qenë i pranishëm në ngjarje dhe prokuroria e akuzon për “vrasje në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, në dëm të disa personave.

Në automjetin e Mehmet Grecës është gjetur një listë me emrat e disa personave, të shënuar me shkrim dore dhe emrat e patronazhistëve, por nuk janë gjetur karta identiteti apo para. Ndërkohë, në automjetin e shtetasit Klement Xhaferri, i cili ka ardhur në vendin e ngjarjes, në ndihmë të Mehmet Grecës, bashkë me një grup personash, përfshirë edhe viktimën, Pjerin Xhuvani, janë gjetur dhe sekuestruar 19 fotokopje kartash identiteti, si dhe disa sende të tjera të paligjshme. Në sallën e gjyqit Prokuroria deklaroi se ka sekuestruar dhe pamjet filmike të celularëve të personave të pranishëm në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe të të arrestuarve. Po kështu, në sallë u deklarua se janë gjetur edhe dy serverë kamerash sigurie në dy banesa, ku është ushtruar kontroll për gjetjen dhe arrestimin e Klement Xhaferrit, i cili në fakt vazhdon të jetë në kërkim. Personi tjetër i arrestuar, Eljo Beko, sipas Prokurorisë ka tentuar të fshehë të vërtetën, pasi në momentet e para nuk pranoi që automjeti në pronësi të firmës së tij i ishte dhënë në përdorim Klement Xhaferrit. Ndërkohë, as dje gjatë zhvillimit të seancës për masën e sigurisë, Prokuroria nuk i dha përgjigje pyetjes se kush ka qëlluar i pari dhe ndaj kujt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat