Lulzim Basha i drejtohet popullit

Shqipëria

Lulzim Basha i drejtohet popullit

Më: 27 prill 2021 Në ora: 19:52
Lulzim Basha

(E plotësuar 20:12) - Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha ka dalë sonte në një konferencë për shtyp ku ka akuzuar qeverinë Rama për manipulimin e procesit zgjedhor.

Sipas tij, qeveria bleu vota, shantazhoi dhe nxori mijëra vota të pavlefshme.

“U deshën shumë vite që të rrëzonim regjimin komunist por ia dolëm. Edhe këto muaj ne bëmë betejë për demokracinë, unë besoja se ne do ta fitonim dhe do t’ia rikthenim Shqipërisë demokracinë. Këto zgjedhje nuk kishin të bëjnë me demokracinë. Ne hymë në betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim. Mijëra vota të pavlefshme, miliona euro të hedhura për blerjen e votës. Përdorën milionat e koncensioneve, kriminelët dhe bandat, shantazhuan administratën. Do vazhdojmë të luftojmë për demokracinë. Kush mendon se do dorëzohemi nuk na njeh mirë. Ne jemi më të fortë”, deklaroi Basha.

Deri më tash janë numëruar mbi 97 për qind e votave dhe Partia Socialiste e Edi Ramës ka dalë fituese me 74 mandate në Kuvendin prej 140 ulësesh, pasuar nga Partia Demokratike e Lulzim Bashës me 59 mandate.

Në fjalën e tij të parë pas fitores në zgjedhjet e djeshme, kryetari i PS-së, njëherësh kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Lulzim Bashës që të pranojë humbjen.

Ndërkohë, Partia Demokratike i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku e njofton për parregullsitë e regjistruara gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave.

Për këtë arsye, PD i kërkon KQZ t’i verë në dispozicion kamerat në qendrat e votimit dhe KZAZ të dhënat nga pajisjet e identifikimit elektronik dhe të dhënat e kryqëzuara të pajisjes së identifikimit elektronik dhe listës së zgjedhësve.

***

Ndërkohë që kryeministri Rama ka festuar fitoren në sheshin “Skënderbej” PD i kërkon pamjet filmike nga KQZ për të gjitha KZAZ-së.

Po ashtu, Partia Demokratike ka kërkuar edhe të dhënat e prodhuara nga pajisja e identifikimit biometrik për votuesit dhe të dhënat e kryqëzuara.

Ka qenë përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso ai që e ka dërguar këtë kërkesë pak minuta më parë në KQZ.

Ndërkohë, gazetarja e RTV Ora, Fjorela Beleshi bën me dije se KQZ nuk i ka ka këto të dhëna, pasi kryqëzimi i të dhënave nga pajisjet e identifikimit biometrik do të nisin në fundjavë dhe nuk ka persona të trajnuar për këtë proces.

Ndërsa USB-të që kanë qenë në KZAZ do të futen në sistem.

Po ashtu, mësohet se edhe prokuroria ka nisur kërkesa drejt KQZ-së për pamjet filmike, nisur nga shumë denoncimi nga partitë politike dhe kandidatët e pavarur.

***

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të bëjë një deklaratë të pazakontë mbrëmjen e sotme nga Selia e PD-së.

Sipas një mesazhi që ka siguruar Fax News, Lulzim Basha do t’i drejtohet me një deklaratë të pazakontë mbështetësve të PD-së, prandaj dhe kërkohet pjesmarrja e të gjithë strukturës.

“Në orën 18:00 Kryetari Basha do të jetë në një deklaratë të pazakontë, ashtu si dhe ne ndodhemi!!!

Kërkohet pjesëmarrja e të gjithë strukturës për mbështetje të kësaj deklarate,” thuhet në mesazhin e siguruar nga Fax News.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat