VOA: Edhe LSI denoncon zgjedhjet, Kryemadhi: Ikja nga parlamenti një gabim

Shqipëria

VOA: Edhe LSI denoncon zgjedhjet, Kryemadhi: Ikja nga parlamenti një gabim

Më: 28 prill 2021 Në ora: 21:16
LSI

Në Shqipëri, pas përfundimit të nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit, po vijon numërimi për renditjen e kandidatëve të partive. Ndërkohë sot edhe Lëvizja socialiste për integrim, denoncoi një process elektorale sipas saj të manipuluar, duke pranuar se vendimi për bojkotimin e parlamentit dhe zgjedhjeve për pushtetin vendor kishte qenë i gabuar

Në zgjedhjet e së dielës votuesit shqiptarë patën mundësi të votojnë jo vetëm për partinë apo koalicionin e preferuar por dhe të përzgjidhnin njërin nga kandidatët në listë. Gjatë gjithë dtës së sotme, fletët e votimit janë rinumëruar pikërisht për të përcaktuar renditjen e kandidatëve, e cila mund të sjellë edhe ndryshime në listën e atyre që ndodheshin në pjesën e sipërme dhe që u futën në garë të favorizuar. Nëse një kandidat i pjesës së poshtme të listës kalon herësin, ai mund të spostojë një nga kolegët të konsideruar të sigurtë, por që rezulton me numrin më të vogël të votave.

Ndërkohë polemikat e forta mbi rezultatin e zgjedhjeve duket se do të vazhdojnë gjatë. Mbrëmë kryetari demokrat Lulzim Basha foli për një masakër elektorale. Ndërsa sot në të njejtën linjë me të ishte dhe kryetarja e Lëvizjs socialiste për integrim Monika Kryemadhi. Ajo pranoi ndërkohë se dalja nga parlamenti në 2019 dhe bojkoti dhe i zgjedhjeve vendore të po atij viti kishte qenë një gabim: "Patëm një strategji të gabuar, duke filluar që nga djegia e mandateve, mos marrja pjesë në zgjedhjet lokale, gjë që në mënyrë të qëllimshme, i dhamë dashje pa dashje të gjitha pushtetet në dorë Edi Ramës, bandave dhe oligarkëve për të tjetërsuar që nga Kushtetuta, për të vazhduar në rrëmbimin dhe grabitjen e pronave të shqiptarëve. Për t’ju dhënë shansin dhe mundësinë jo për të blerë katër vitet e ardhshme me 500 euro votën, por për të blerë 100 vitet e ardhshme me 500 euro votën”, u shpreh zonja Kryemadhi.

Presidenti Ilir Meta vlerësoi këtë qëndrim të LSI-së, duke njoftuar rikthimin e tij në partinë që ai themeloi, pas përfundimit të mandatit si kryetar I Shtetit në Korrik të vitit të ardhshëm.

Lëvizja Socialiste për Integrim, pësoi një tkurrje të fortë, dhe rezultati pas numërimit të kutive i ka dhënë asaj vetëm 4 nga 19 deputetë që kishte në 2017.

Ashtu si dhe Partia Demokratike, kjo forcë politike, i është drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të patur kopje të filmimeve të kamerave në Qendrat e votimit dhe ati të numërimit të votave, duke paralajmëruar një betejë të gjatë ligjore kundër procesit të 25 Prillit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat