Ministrja Belinda Balluku: Përgjegjësi të jesh një nga kandidatët më të votuar

Shqipëria

Ministrja Belinda Balluku: Përgjegjësi të jesh një nga kandidatët më të votuar

Më: 30 prill 2021 Në ora: 20:37
Belinda Balluku

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka treguar detaje në lidhje me organizimin e punës në terren gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.

E ftuar në Euronews Albania, znj. Balluku tha se vota preferenciale, e cila ka qenë risi e shtuar në këtë proces zgjedhor ka bërë që kandidatët krahas partisë të mbledhin vota edhe për veten e tyre.

Ajo thotë se në këtë proces për të mbledhur votat ka ndikuar garimin nën siglën e Partisë Socialiste

“Vota preferenciale ka bërë që çdo kandidat, përveçse punonin për partinë kanë punuar për të pasur edhe një votë preferenciale. Përveç punës që kemi bërë për partinë, ne jemi munduar edhe për vota preferenciale për të treguar se personalisht mbështetemi nga elektorati i PS. Asnjë nga ne nuk do të arrinte të bënte asnjë votë nëse ne nuk ishim nën çadrën e PS dhe nëse në krye të kësaj partie nuk do ishte Edi Rama”, theksoi ministrja.

Në këtë garë znj. Balluku u rendit në listën kandidatëve më të votuar të Partisë Socialiste. Ajo thotë se ky fakt e shtynë atë të punojë edhe më shumë për qytetarët, të cilët tashmë i kanë besuar përfaqësimin për legjislaturën e re.

“Që të jesh një nga kandidatët më të votuar të vë para përgjegjësisë, për të punuar me fort dhe për të ruajtur këtë trend të votimit herë të tjera. Kur qytetarët të votojnë me emër dhe ti je përgjegjës për secilën nga votat që ke marrë. Kjo na vë para përgjegjësisë për të punuar më fort”, tha ajo.

Ministrja Balluku nuk kurseu falënderimet as për kampin kundërshtar, ndërsa veçoi punën e kandidatit për deputet të Partisë Demokratike Belind Këlliçi, për të cilin tha se zhvilluar një fushatë qytetare dhe nuk ka pasur me të asnjë problematikë.

“Kandidati që kam pasur përballë e respektoj, pasi është një djalë i ri dhe ka bërë një fushatë të mirë [Belind Këlliçi]…Nuk kemi pasur problematika. E vlerësoj të gjithë sjelljen e tij qytetare. Mua më është dashur të punoj shumë, sepse Kombinati ka pasur problematika që nuk janë as të lindura nga qeveria dhe as të zgjidhshme nga qeveria. Kombinati është zonë që kërkon vëmendje”, tha ajo.

Ministrja Balluku theksoi se gara brenda partisë në këto zgjedhje, ka prodhuar rezultate të mira.

“Nuk është luftë, është një garë. Çdo garë prodhon rezultate të mira. Është një garë që ka prodhuar rezultat, përmes punës dhe unë e vlerësoj”, shtoi ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat