Plas edhe në PS/ Erion Veliaj ‘dogji’ Ervin Bushatin në Tiranë dhe nxori deputet aleatin e tij Fatmir Xhafajn, nis lobimin për ta bërë kryetar Kuvendi

Shqipëria

Plas edhe në PS/ Erion Veliaj ‘dogji’ Ervin Bushatin në Tiranë dhe nxori deputet aleatin e tij Fatmir Xhafajn, nis lobimin për ta bërë kryetar Kuvendi

Më: 1 maj 2021 Në ora: 15:18
Erion Veliaj

Votat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Tiranë janë diktuar nga Erion Veliaj, i cili ka drejtuar fushatën në kryeqytet, duke patronazhuar strukturat e partisë.

Thyerja e herësit nga Fatmir Xhafaj, duke i marrë mandatin e deputetit Ervin Bushatit në Tiranë, është produkt i lëvizjeve në prapaskenë të Erion Veliajt, i cili ka udhëzuar strukturat e Partisë Socialiste në kryeqytet se cilët kandidatë duhet të votojnë dhe cilët duhet të sabotojnë.
Në Tiranë kandidatët më të votuar janë pikërisht të besuarit dhe aleatët gjysmë të fshehtë të Veliajt në PS, ndërsa më pak të votuarit, janë atë që kanë raporte formale apo të ftohta me Veliajn.

Pse Fatmir Xhafaj, i renditur i 23-ti e theu herësin në Tiranë dhe Pandeli Majko i renditur i 19-ti, u ‘dogj’?!

Arsyeja është shumë e thjeshtë: Fatmir Xhafaj është në një aleancë të fortë me Erion Veliajn, të cilët presin që të marrin një ditë drejtimin e PS-së.
Gjithashtu, dhëndri i Xhafaj, Ditjon Baboçi, është një nga njerëzit më të besuar të Veliajt në Bashkinë e Tiranës. Veliaj ka udhëzuar strukturat që të votojnë Fatmir Xhafajn, të cilin Edi Rama e kishte renditur nga fundi i listës, për ta hequr qafe nga politika.

Veliaj, përmes njerëzve të tij dhe administratës së bashkisë, arriti të shpëtonte Xhafajn, madje ka nisur të lobojë që Xhafaj të bëhet kryetar Kuvendi, në legjislaturën e ardhshme.

Nga ana tjetër, Veliaj ka ‘djegur’ Ervin Bushatin, duke e nxjerrë jashtë parlamentit. Edhe pse Bushati ishte renditur i treti në Tiranë nga Edi Rama, atë e nxorën jashtë loje Veliaj dhe Xhafaj.

Bushati, duke mos bërë fushatë për vete, por për PS-në, arriti të merrte rreth 3 mija vota, ndërsa Xhafaj, falë ndërhyrjes së Veliajt, mori mbi 16 mijë vota.

Mimi Kodheli, e renditur e 21, mori 5.5 mijë vota, ndërsa Pandeli Majko, i renditur i 19, mori 8.7 mijë vota, pa mundur të thyejë herësin.
Pas zbatimit të kësaj skeme nga Veliaj, ka ardhur një reagim nga Ervin Bushati, i cili dha një mesazh të qartë. Bushati foli për tradhti.
“Unë si qytetar i kryeqytetit, i pari i kryesisë së PS Tiranës, punova fort për objektivin e Partisë Socialiste: pastër, drejtë dhe suksesshëm.
PS Tiranë mori një numër rekord votash: +19,042 më shumë se në vitin 2017, falë përpjekjes sonë të përbashkët në këto dy vite bashkë. Në cilësinë e Kryetarit të PS Tiranë ndieja se kisha përgjegjësinë për të gjithë përfaqësuesit e Partisë Socialiste Tiranë dhe u sigurova që energjia jonë të shkonte për të mirën e madhe: PS12”, tha Bushati.

Bushati thotë se ka punuar drejt dhe pastër që të fitonte PS-ja, duke i dhënë një mesazh të qartë Veliajt për lojërat që bëri prapa krahëve gjatë fushatës. Gjithashtu, Bushati thotë se ka punuar fort që të fitojë PS-ja, në kushtet kur Erion Veliaj doli në disa konferenca shtypi, duke marrë meritat e fitores në Tiranë, madje duke dubluar edhe Edi Ramën.

Në Tiranë u ‘dogj’ edhe Fidel Ylli, mandatin e të cilit e mori Ornaldo Rakipi, i renditur në fund të listës. Ornaldo Rakipi është i biri i Aqif Rakipit, i cili arriti një marrëveshje me Ramën, për të futur të birin në Kuvend, nën siglën e PS-së, me votat që do t’i siguronte vetë në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat