Njihuni me Taulant Ballën e vërtetë: Më i votuari i narkoparlamentit

Shqipëria

Njihuni me Taulant Ballën e vërtetë: Më i votuari i narkoparlamentit

Më: 1 maj 2021 Në ora: 15:55
Taulant Balla

Pas çdo skandali, pas çdo afere të madhe, pas çdo tenderi apo leje ndërtimi ku është i përfshirë edhe krimi i organizuar, gjasat që të mos përmendet emri i Taulant Ballës janë të pakta. Mënyra se si punon dhe bashkëvepron ai me krimin, policinë dhe prokurorinë plasi së fundmi në qarkun që ai kontrollon si një pasha fuqiplotë.

Taulant Balla sërish u vu në qendër të debatit politik të gjatë orëve të fundit të fushatës, duke u akuzuar jo vetëm si shkaku burimor i përgjakjes së fundit elektorale në Elbasan. Guximi i bazuar në vënien nën kontroll personal të policisë dhe prokurorisë rajonale, krijimi i shtabeve paralele kriminale për të blerë e mbledhur vota me shantazh, nxori situatën nga kontrolli në datën 21 prill duke përgjakur fushatën.

Gjatë këtyre 8 viteve në pushtet, Taulant Balla është një nga eksponentët e Rilindjes më të denoncuar në media, prokurori dhe së fundmi edhe në SPAK.

Po si u bë Taulant Balla i mbërritur nga periferia, kaq i rëndësishëm për partinë, Edi Ramën, biznesin dhe krimin e organizuar në çdo cep të Shqipërisë?

Sipas të dhënave që ka nxjerrë vetë, Taulant Balla është anëtarësuar në Partisë Socialiste që në vitin 1995, në moshën 18-vjeçare, kur u regjistrua në radhët e PS-së së Librazhdit.  Më pas u largua për studime në Rumani, ku përfundoi studimet e larta për shkenca politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndërsa ishte ende student, në vitin 2001, ai u afrua dhe kreu një stazh pranë ministres së atëhershme të Integrimit Ermelinda Meksi. Ky ka qenë edhe moment i parë, kur Balla pati shansin që të futej dhe njihej me rrethet e larta të PS-së. Kështu në vitin 2002, ai nisi punë në Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare pranë Partisë Socialiste dhe në vitin 2003 u punësua nga Zëvendës/kryeministri Namik Dokle në stafin e zyrës së tij. Një hap vendimtarë në karrierën e tij ishte ai në vitin 2004-2005, kur Balla u emërua ndihmës i ish-Kryeministrit Nano, i ngarkuar për kontaktet me Internacionalen Socialiste.

Të gjithë këta socialistë të shquar, Ermelina Meksi, Namik Dokle e Fatos Nano që i dhanë dorën dhe shansin e madh Taulant Ballës, sot janë jashtë partisë. Edi  Rama i flaku ata, por zbuloi te Taulant Balla një talent të jashtëzakonshëm vetëpërshtatje, nënshtrimi dhe shërbimi pa kushte dhe karakter. Ndaj e mbajti afër dhe vazhdoi që ta përdorë, për punët që askush nuk i merrte përsipër.

Ishte përkulja pa kushte ndaj Fatos Nanos, që e bëri për herë të parë deputet në zonën e Librazhdit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, vetëm në moshën 28-vjeçare.

Socialistët i humbën zgjedhjet, Partia Demokratike u rikthye në pushtet, Edi Rama morri partinë dhe Taulant Balla tashmë ishte deputet. Ky është momenti që ai do të spikaste fortë, si “qen sulmi” siç e etiketonte PD në atë kohë. Balla edhe pse rishtar në parlament u shqua për sulme dhe akuza të forta në drejtim të ish-Kryeministrit Berisha, ministrave të tij, pa kursyer as familjarët.

Edi Rama si shef i opozitës, tashmë e kishte një zë në parlament dhe nëpër studiot televizive të cilit mund ti ngarkonte pa problem detyrën e sulmeve nëpërmjet ligjërimit të pistë dhe të pafre. Kështu shpejt ai krijoi profilin e një politikani pa skrupuj, pa përgjegjësi morale dhe penale për ato që nxirrte nga goja dhe mbi të gjitha mori jo më kot namin e njeriut besnik të Edi Ramës. Nuk e ndalën as dënimet e gjykatës për shpifje.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, ai u zgjodh sërish deputet si përfaqësues i zonës së Librazhdit. Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, Taulant Balla drejtoi personalisht fushatën elektorale për rrethin e Librazhdit. Por edhe pse PS humbi përballë PD-së bashkinë e Librazhdit, atë të Përrenjasit si dhe 4 komuna që njiheshin si bastion socialist, Edi Rama nuk e ndëshkoi siç bëri me të gjithë humbësit e tjerë politik nëpër Shqipëri. Arsyet tashmë diheshin: Askush nuk kishte aftësinë e Ballës për të bërë rolin e “masakruesit” publik mbi kundërshtarët politikë. As rolin e nënshtrimit pa kushte ndaj çdo urdhri të Ramës, si dhe as talentin e spikatur që zbuloi pasi u bë deputet, për të negociuar dhe krijuar lidhje speciale me botën e errët të krimit dhe biznesit.

Kur vendi po bëhej gati për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, Balla tashmë një figura shumë pranë Edi Ramës, u rendit i pesti në listën e PS-së për qarkun Elbasan. PS fitoi 6 nga 14 mandate duke e çuar Ballën në parlament për herë të tretë. Pas fitores Rama e shpërbleu, me postin e zëvendëskryetarit të grupit parlamentar të PS-së.

Vetëm pak muaj kaluan pas marrjes së pushtetit dhe ndaj Taulant Ballës shpërthyen denoncimet dhe akuzat nga opozita dhe media, për kontrollin e punësimeve, sidomos ato në administratën tatimore dhe doganore, veçanërisht në rrethin e Elbasanit.

Në periudhën 2015-2017, papritur plasi një konflikti i brendshëm në PS mes deputetit Ben Blushi dhe Kryetarit Edi Rama. Për socialistët kjo ishte një situatë e nderë, sepse pavarësisht se Rama ishte kryetari dhe kryeministri, Blushi, ishte një figurë e shquar e tyre. Kjo bëri që shumica e figurave tradicionale të mos mbanin anë të paktën publikisht. Por Rama e kishte gati “qenin e sulmit” siç tashmë quhej Taulant nga opozita dhe një pjesë e medias. Taulant Balla me komandë u shndërrua në zërin kryesor kundër Blushit, duke bërë deklarata të forta dhe denigruese kundër deputetit socialist të cilat nuk guxonte ti artikulonte as vetë Edi Rama që e kishte luftën personale.

Shpërblimi përveç dorës së lirë për emërime në administratë, leje ndërtimi dhe tendera erdhi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ku Taulant Balla u rendit nga Rama i pari në listën e qarkut Elbasan, duke zëvendësuar pikërisht Ben Blushin.

Nga ana e tij Balla ja shpërbleu kryetarit duke e shndërruar Elbasanin në një maskaradë elektorale, duke vënë në dispozicion administratën, mësuesit, pushtetin lokal dhe krimin e organizuar. As një vend pune për sanitare nuk kap dot në qarkun e Elbasanit pa dhënë viston Taulant Balla. Kështu rezultati në zgjedhjet e kaluara ishte: PS si asnjëherë fitoi 7 mandate, PD tre, LSI dy, kurse PDIU në aleancë me Ramën e përfaqësuar nga Aqif Rakipi dhe viktima e fundit Pjerin Xhuvani, 2 mandate.

Pas zgjedhjeve Rama i dha Taulant Balla edhe postin që kishte mbajtur Ben Blushi në parlament, duke e emëruar kryetar të grupit parlamentar socialist. Njëkohësisht, u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Pas kësaj Taulant Balla nuk mbahej më, jo vetëm në Elbasan por në të gjithë Shqipërinë. Ai cilësohej nga të gjithë si krahu i djathtë i Edi Ramës dhe kjo u formalizua edhe në parti duke e graduar në tetor të vitit 2017, si sekretar të përgjithshëm të PS-së në vend të Gramoz Ruçit.

Gjatë 8 viteve por veçanërisht në mandatin e dytë, Taulant Balla është akuzuar nga burime të ndryshme, kryesisht nga opozita dhe media, për përfshirje në pothuaj në të gjitha skandalet e qeverisjes Rama.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha paralajmëroi nëpërmjet një fjalimi në qershor 2018 parlament se drejt Shqipërisë ishte nisur me anije nga një vend perëndimor, një makinë Toyota Yaris e mbushur me euro, dërgesë e krimit të organizuar për t’u pastruar në Shqipëri, nën mbrojtjen e Taulant Ballës. Pas disa ditësh, në Portin e Durrësit u kap vërtet një makinë Toyota Yaris në bordin e së cilës u gjetën të fshehura 3,4 milionë euro.

Në denoncimet e mëpasshme nga PD-së, Balla u akuzua se ai kishte zhvilluar një takim në Selanik me element kriminalë ku ishte diskutuar për këtë dërgesë, dhe ky takim ishte regjistruar nga shërbime inteligjence. Balla i mohuar kategorikisht këto akuza dhe prokuroria e mbylli çështjen me shpalljen në kërkim të disa persona dytësor në këtë skemë pastrimi parash.

Pa u mbyllur ende jehona e “Toyota Yaris”, doli skandali i audio përgjimit për vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Geron Xhafaj. Pasi shumica socialiste deklaroi pretendonte se zëri në audio-përgjimin e Albert Veliut ishte i një personi te futur nga PD, Fredi Alizotit, deputeti Ervin Salianji bëri publike një video ku në fakt Alizoti tregonte se ai kishte marrë para nga Taulant Balla për të sajuar këtë histori.

Në përgjimet e Prokurorisë Alizoti i referohet disa herë Taulant Ballës dhe marrjes së një shpërblimi prej tij, çfarë duket se konfirmon pohimin e tij në video se është futur nga Balla për të pretenduar që është ai dhe jo Agron Xhafaj në përgjimin fillestar.  Balla i ka mohuar edhe këto akuza, kurse hetimi i prokurorisë dihet se si përfundoi.

Në shtator të vitit 2018, Taulant Balla, shfaqet në një skandal tjetër të bujshëm. Ai u akuzua nga ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu i cili tashmë gjendet në azil politik, se nr. 2 i PS-së kishte ndërhyrë me prezencën e tij në komisariat që Nuhu të mbyllte çështjen duke u kërcënuar për të mos arrestuar djalin e deputetit socialist të Krujës, Rexhep Rraja. Djali i tij akuzohej për dhunim, përdhunim, kërcënim e përndjekje, nga vetë viktima 25-vjeçarja Xhisiela Maloku. Edhe kjo çështje, dihet se si u mbyll nga ana e prokurorisë.

Ndërkohë duket se Balla nuk pushon dhe shfaqet në çdo skandal të radhës, që publikohet dhe denoncohet. Pasi autoritetet greke arrestuan një individ-biznesmen shqiptarë të quajtur Edmond Bego, në bazë të një urdhri të lëshuar nga drejtësia italiane, u mësua se ky person i dënuar me 21 vjet burg për trafik kokaine në Itali, ishte mik i ngushtë me Taulant Ballën. Këtë herë Balla e pranoi lidhje edhe publikisht, madje duke deklaruar se ka edhe miqësi familjare me ish-financierin e organizatës famëkeqe të Aldo Bares. Por shumë shpejt u zbulua se miqësia Balla-Bego nuk ishte për qejf dhe as për hir të fëmijëve.

Krahu i djathtë i Edi Ramës doli se ka favorizuar kompaninë e krahut të djathtë të Aldo Bares që të përfitojë miliona euro nga tenderat publikë, kryesisht në qarkun e Elbasanit, ku Balla është praktikisht Zot i qeverisjes lokale dhe qendrore. Për mikun e Ballës i dënuar si trafikant i madh droge, Rama dhe Erion Veliaj arritën deri aty sa që të ndryshojnë planin e Tiranës duke zhvendosur lumin Lanë, me qëllim që ai të përfitojë sa më shumë territor në ndërtimin e një kompleksi rezidencial në vlerë 60 milion euro, afër Unazës së Madhe.

Gjithashtu në atë kohë PD bëri publike disa të dhëna që konfirmonin se Taulant Balla dhe Edmon Bego kanë udhëtuar rreth 57 herë së bashku jashtë vendit gjatë viteve të fundit, përfshi disa udhëtime me të njëjtën makinë dhe një udhëtim me avion çarter. Gjithashtu Balla është denoncuar sistematikisht për një rrjet të madh nepotik e korruptim, në gjithë strukturën shtetërore duke përfshirë edhe policinë dhe pushtetin lokal, veçanërisht në qarkun e Elbasanit. Njihet si krijuesi i një biznesi të jashtëligjshëm për shfrytëzimin makabër të pyjeve në atë zonë të pasur, deri edhe në shkatërrimin e zonave të mbrojtura.

Kjo është vetëm një pjesë e rolit të krahut të djathtë të Ramës në qeverisjen e vërtetë të Rilindjes dhe jo vetëm në Elbasan. Kurse gjaku që u derdh së fundmi në këtë qytet ishte, kurban, plasja e gangrenës kriminale dhe korruptive, që ka kapur qytetin, shtetin dhe organet ligj-zbatuese aty dhe në të gjithë vendin.

Ky ishte një profil i paautorizuar për Taulant Ballën, i cili të kujton historinë e shqiponjës më kërmillin: Po ti si u ngjite në majë?!- Duke u lëpirë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat