Shpërndarja para zgjedhjeve e 13,7 milionë $ për familjet e dëmtuara nga tërmeti, reagon Bashkia e Durrësit: Procesi nisi që në janar 2020

Shqipëria

Shpërndarja para zgjedhjeve e 13,7 milionë $ për familjet e dëmtuara nga tërmeti, reagon Bashkia e Durrësit: Procesi nisi që në janar 2020

Më: 1 maj 2021 Në ora: 17:32
Foto ilustrim

Bashkia e Durrësit ka reaguar në lidhje me lajmet që qarkulluan në media, në lidhje me financimet që janë bërë para 25 prillit, ku ky institucion ka shpërndarë 13,7 milionë $ për 4294 familje me banesa të dëmtuara nga tërmeti.

Në reagimin e Bashkisë së qytetit bregdetar thuhet se procesi i shpërndarjes së grantit për rikonstruksion ka nisur që në fillim të vitit 2020 dhe është kryer sipas të gjitha procedurave të përcaktuara me VKM si dhe të miratuara në këshillin bashkiak me transparencë të plotë.

Po ashtu bashkia sqaron se dhënia e grantit për rikonstruksion familjeve të prekura nga tërmeti ashtu si të gjitha proceset e tjera të rindërtimit nuk kanë të bëjnë fare me zgjedhjet apo me votat, por ka të bëjë me strehimin sa më të shpejtë të familjeve të mbetura pa shtëpi.

REAGIMI I BASHKISË
Nëpër medie të ndryshme është përhapur një lajm sipas të cilit Bashkia e Durrësit ka shpërndarë grantin e rikonstruksionit për familjet e prekura nga tërmeti, në muajt mars dhe prill dhe se këto paskan qenë lekë për vota, pra pretendohet që procedurat e ligjshme të procesit të rindërtimit mund të ketë qenë ndikuese në procesin zgjedhor. Bashkia e Durrësit kërkon të sqarojë opinionin publik se procesi i shpërndarjes së grantit për rikonstruksion ka nisur që në fillim të vitit 2020 dhe është kryer sipas të gjitha procedurave të përcaktuara me VKM si dhe të miratuara në këshillin bashkiak me transparencë të plotë, pasi këto vendime janë të publikuara të gjitha në faqen zyrtare të bashkisë, ndërkohë që procesi vijon edhe këtë vit.

Dhënia e këtij granti familjeve të Durrësit që do të rregullojnë shtëpitë e tyre është një nga etapat e procesit të rindërtimit i cili përfshin edhe dhënien e bonusit të qirave, rindërtimin e pallateve dhe banesave individuale, rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta të pallateve, rindërtimin e shkollave e kopshteve, riforcimin për pallatet me shkallë dëmi DS4. I gjithë procesi i rindërtimit ka nisur në dhjetor 2019 dhe vijon pa ndërprerje edhe tani. Bashkia Durrës po vijon procesin e rindërtimit referuar Aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019 “Për Përballimin e Pasojave të Fatkeqësisë Natyrore” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Dhënia e grantit për rikonstruksion familjeve të prekura nga tërmeti ashtu si të gjitha proceset e tjera të rindërtimit nuk kanë të bëjnë fare me zgjedhjet apo me votat por ka të bëjë me strehimin sa më të shpejtë të familjeve të mbetura pa shtëpi dhe me kthimin e qytetit në normalitet pas atij tërmeti tragjik. Mos vallë opozita apo ata që shkruajnë lajme të tilla dëshironin që katër muajt e parë të vitit 2021 të ndërpritej procesi i rindërtimit dhe familjet durrsake të vazhdonin të qëndronin jashtë sepse qenka fushata dhe zgjedhjet?! Gjithashtu në lajm thuhet se në 2021 janë shpërndarë grant rikonstruksioni për 4294 familje por nuk thuhet (pa dashje apo me dashje) se sa janë familjet që kanë përfituar këtë grant në vitin 2020. E pra për të qenë deri në fund transparent, ashtu siç është Bashkia e Durrësit kundrejt të gjithë qytetarëve, në vitin 2020 kanë përfituar 10697 familje grantin e rikonstruksionit dhe në gjysmën e parë të vitit 2021 kanë përfituar 4294 familje.

Nga këto shifra të cilat janë transparente dhe kushdo gazetar apo media që do t’i duhen mund t’i marrë lehtësisht në institucionin tonë apo ti shohë në faqen zyrtare të bashkisë, vihet re se shpërndarja e grantit të rikonstruksionit ka patur një rrjedhë krejt normale gjatë vitit 2020 dhe në gjysmën e parë të vitit 2021. Po kështu edhe etapat e tjera të procesit të rindërtimit kanë vijuar pa u ndalur. Janë riparuar ambientet e përbashkëta të rreth 450 pallateve, vijon ndërtimi i 500 banesave individuale disa prej të cilave kanë mbaruar, vijon shpërndarja e granteve për rikonstruksion dhe e bonusit të qerave, 14 shkolla të reja janë rindërtuar dhe 10 janë në proces e po kështu vijon dhe procesi i riforcimit të godinave DS4 dhe rindërtimi i pallateve aty ku ishin më parë ku dy prej tyre janë në vazhdim ndërkohë që shumë shpejt fillojnë edhe të tjerët.

Po kështu ka filluar puna edhe për lagjen e re në Spitallë dhe në Manzë. Sipas logjikës të atyre që urdhëruan artikullin dhe të atyre që e shkruan, katër muajt e parë të 2021 procesi i rindërtimit duhej ndërprerë, pra nxënësit nuk duhej të hynin në shkollat e reja dhe mijëra familje duhej të qëndronin jashtë se nuk marrin dot grantin për të riparuar apartamentet apo qindra familje të tjera nuk duhej të hynin në banesat e reja individuale por të flinin në çadra sepse përndryshe u konsideroka skemë për të marrë vota?! Bashkia e Durrësit kërkon të sigurojë të gjithë qytetarët se procesi i rindërtimit vijon me ritme të shpejta dhe nuk ndërpritet nga balta që hedhin ata që kalojnë nga humbja në humbje. Ky proces rindërtimi bëri të mundur ringritjen e qytetit dhe në pranverën e 2022 gjithçka do të përfundojë. Ringritja dhe transformimi i Durrësit janë një realitet që e shohin dhe e përjetojnë të gjithë qytetarët e Durrësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat