Pashkë në karantinë, emigrantët shqiptarë kthehen në vendlindje

Shqipëria

Pashkë në karantinë, emigrantët shqiptarë kthehen në vendlindje

Më: 1 maj 2021 Në ora: 17:32
Emigrantë shqiptarë

Shumë pak emigrantë shqiptarë kanë ardhur për festën e Pashkës nga Greqia. Një vendim i autoriteteve shqiptare të shëndetësisë kushtëzon karantinim 14-ditor për këdo që hyn në kufi nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, deri në datën 3 maj, por në Kapshticë, emigrantët thonë se nuk u ka kërkuar njeri informacion për karantinën.

“Ndryshe nga herët e tjera, atëherë kur pika e kalimit kufitar të Kapshticës tejmbushej me shtetas shqiptarë të cilët nga Greqia vinin drejt Shqipërisë për të festuar festën e Pashkës me familjarët e tyre, këtë vit policët kufitarë nuk kanë shumë punë”, raporton Xhensil Shkëmbi.

Euronews Albania intervistoi disa prej emigrantëve. Të pyetur nëse ishin në dijeni se pas hyrjes në tokën shqiptare duhet të karantinohen për 2 javë, ata treguan se ky fakt nuk i është kërkuar në pikën e kalimit kufitar.

“Vij nga Athina. Jo, shkova pyeta, s’na thanë gjë. Thanë që në datën 3 do hyjnë e do dalin njerëzit”, tha një emigrant.

Kurse të tjerë thonë për mikrofonin e Euronews Albania se ky vendim i Komitetit Teknik të Ekspertëve është i padrejtë.

“Kam ardhur se kam mamanë të sëmurë, e kapi zemra dhe duhet ta çoj në Tiranë me patjetër. Se skam njeri tjetër. Kemi qiranë, kemi dritat si mund të rri tani unë dy javë? Unë thashë të shkoj t’i bej një analizë në Tiranë e të kthehem. Jo, nuk duam të qëndrojmë, ne duam të ikim. Po munguan kalamajtë në shkollë marrim mungesa”, tha një emigrante.

Ka prej tyre që vijnë edhe për festë, duke marrë parasysh edhe karantinën 14 ditore.

“Vij nga Selaniku, nga Greqia. Vij për festën për pashkët. Do karantinohemi dy javë. Nuk është e vështirë karantinimi, varet si gjithsecili e sheh. Gëzuar pashkët”, shtoi një tjetër emigrant.

Prej 20 Prillit hyrja nga Kapshtica dhe Qafë Thana shoqërohet me karantinim 14 ditor, çka ka bërë që numri i emigrantëve që hyjnë në drejtim të tokës shqiptare të bjerë ndjeshëm.

Protokolli kërkon që në pikën kufitare qytetarët që hyjnë të deklarojnë në një formular të posaçëm të dhënat e tyre personale, përfshi edhe adresën se ku do të qëndrojë, gjë që do të duhej të shërbente për verifikimin e karantinimit, por këta qytetarë nuk kanë plotësuar asnjë formular.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat