Rigjallërohet kredia/ Si për individët dhe bizneset, arriti në vlerën e 13.1 miliardë lekë

Shqipëria

Rigjallërohet kredia/ Si për individët dhe bizneset, arriti në vlerën e 13.1 miliardë lekë

Më: 3 maj 2021 Në ora: 20:17
Foto ilustrim

Kreditimi ka parë një gjallërim gjatë muajit mars. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për ekonominë arriti në vlerën e 13.1 miliardë lekëve, ndjeshëm më e lartë se marsi i 2020-ës, ku kriza e pandemisë goditi fort huadhënien e re nga sektori bankar.

Ky trend në rritje e huadhënies bëri që portofoli total i kredisë të zgjerohet më tej duke arritur vlerën e 610.6  miliardë lekëve në fund të marsit, nga 597.5 miliardë lekë që ishte në mars të vitit të shkuar.

Sipas statistikave të bankës qendrore, zgjerimi i kredisë së re është bërë jo vetëm në drejtim të kompanive private por edhe për individët, ku për këto të fundit sistemi bankar ka ndjekur politika më të lehtësuara për dhënien e huave, se sa për bizneset, një sjellje e diktuar nga pasiguritë e krizës së Covid-19.

Sektorët më të kredituar sa i takon segmentit të biznesit rezultojnë industria nxjerrëse, përpunuese si dhe sektori i ndërtimit.

Ky trend pozitiv sinjalizon një përmirësim të situatës ekonomike të qytetarëve dhe bizneseve në vend, diçka që mund të lidhet edhe me lehtësimin e masave kufizuese.

Ndërsa për kompanitë publike është evidentuar një rënie e huadhënies gjatë muajit mars pasi portofoli në këtë segment u tkurr me rreth 53% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke dhënë një ndikim jo të vogël negativ në ecurinë e kreditimit.

Por, me gjithë pasiguritë dhe perceptimin për rrezik si pasojë e situatës së përgjithshme ekonomike në vend për shkak të pandemisë, sistemi bankar është optimist për një përmirësim të situatës, pasi pret një kërkesë të shtuar për kredi si nga ana e konsumatorëve, ashtu edhe nga bizneset, veçanërisht në segmentin e sipërmarrjeve të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat