Kush janë kandidatët e ‘djegur’ nga sistemi në Shqipëri, kanë marrë më shumë vota se sa deputetët e rinj

Shqipëria

Kush janë kandidatët e ‘djegur’ nga sistemi në Shqipëri, kanë marrë më shumë vota se sa deputetët e rinj

Më: 3 maj 2021 Në ora: 22:21
Foto ilustrim

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, u përdor për herë të parë vota preferenciale. Por, listat nuk ishin plotësisht të hapura pasi siç e tregon dhe rezultati renditja ka penalizuar shumë figura.

Shumë kandidatë të cilët ishin në listë nuk do të mund të jenë deputetë pavarësisht se kanë siguruar shumë herë më shumë vota se kandidatët që ishin renditur në krye të listës.

Gazetari, Ardit Hoxha shpjegoi se këto të dhëna mund të vërtetojnë dyshimin se listat  nuk janë të hapura, pasi do të duhet një numër shumë i madh votuesish për të bërë që kandidatët e renditur poshtë listës fituese të hyjnë në Parlament.

Për ta shpjeguar, gazetari mori si shembull fillimisht listën e PD për Qarkun e Tiranës. Nga 15 vende që PD siguroi, nëse do të bënim një renditje me më të votuarit do të dilte se aty do të hynin katër kandidatë që ishin poshtë listës fituese.

Kandidatët si Petrit Doda me 5 987 vota, Orjela Nebijaj me 5 599 vota, Asllan Dogjani me 5 182 vota dhe Ivi Kaso me 5 087 vota ndonëse kanë siguruar më shumë vota se sa disa prej emrave që do të jenë deputetë në Parlamentin e ri sërish do të mbeten jashtë.

Më pak të votuarit nga lista e PD janë Vangjel Dule me 848 vota, Alfred Rushaj me 2 334 vota, Mesila Doda me 2 357 vota dhe Albana Vokshi me 2 928 vota.

Përveç listës së Tiranës, PD ka pasur raste “flagrante” në Durrës dhe Shkodër. Bardh Spahia edhe pse është kandidati më i votuar në Qarkun Shkodër me 7 219 vota, sërish do të mbetet jashtë parlamentit.

E njëjta situatë është në Fier, ku Agron Kapllanaj është kandidati më i votuar me 9 274 vota sërish do të mbetet jashtë listës fituese.

Në Qarkun e Durrësit, dy kandidatët më të votuar për PD, Igli Cara me 6 952 vota dhe Manjola Luku me 6 108 vota do të jenë jashtë Parlamentit. Mandatin do ta marrin dy kandidatë të tjerë që kanë marrë 50% më pak të votave për shkak të renditjes.

Në rastin e Partisë Socialiste kandidatët e djegur nga sistemi janë në Qarkun e Tiranës. Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi arritën ta thyejnë herësin dhe të sigurojnë mandatin, por ka kandidatë të tjerë edhe pse kanë siguruar më shumë vota se sa fituesit, sërish do të mbeten jashtë Parlamentit të ri.

Mes tyre bëjnë pjesë Pandeli Majko me 8 785 vota, Mimi kodheli me 5 598 vota, Dallëndyshe Bici me 5 013 vota dhe Plarent Ndreca me 4 010 vota.

Por në  parlament do të jenë kandidatë që janë marrë më pak vota si Arben Pëllumbi me 3 775, Klotilda Bushka 2 973, Ermonela Valikaj me 2 311 dhe Najada Çomo me 1 583 vota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat