Shkarkimi i Presidentit, a mund të ngrejë Kuvendi komision hetimor 4 muaj para mbarimit të mandatit?

Shqipëria

Shkarkimi i Presidentit, a mund të ngrejë Kuvendi komision hetimor 4 muaj para mbarimit të mandatit?

Më: 5 maj 2021 Në ora: 13:24
Ilir Meta

Për Adriatik Alimadhin, relacioni i PS që mban firmat e 49 deputetëve socialistë, nuk ka argumentat e mjaftueshëm për të provuar shkeljet ligjore dhe kushtetuese të Presidentit Ilir Meta.

Duke e konsideruar një retorikë politike, Alimadhi u ndal edhe te procedura, nëse  është apo jo ligjore dhe kushtetuese ngritja e komisionit hetimor nga Kuvendi aktual që është në mbarim të mandatit.

Adriatik Alimadhi: Në ligjin për komisionet hetimore të Kuvendit thuhet se komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të  Kuvendit. Duke para nenin 47 të Kushtetutës paragrafi i parë thuhet se Kuvendi zhvillon punimet në dy sesione, i pari fillon të hënën  e tretë të janarit dhe i dyti të hënën e parë të shtatorit. E hëna e parë e shtatorit është data 6, sot jemi në datën 5 dhe komisioni nuk është ngritur akoma. A kemi të bëjmë me  shkelje të ligjit dhe Kushtetutës?E shoh më shumë retorikë politike sesa shkelje të rëndë që prëcakton Kushtetuta. Përfunduam zgjedhjet dhe jemi në një situatë shumë të qetë politike. Të gjitha këto që parashtruan kolegët deputetë nuk më parashtrojnë ndonjë pasojë të rëndë juridike.

Përgjigjen e mori nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, sipas të cilit Komisioni i Ligjeve është brenda afatit të përcaktuar në Kushtetutë dhe ligjin për komisionet hetimore për ta shqyrtuar këtë kërkesë.

Ulsi Manja: Komisioni i Ligjeve është i detyruar të shqyrtojë çdo kërkesë dhe nismë që paraqitet nga deputetët. Nëse Kuvendi ka të drejtë të ngrejë komision hetimor 4 muaj para mandatit unë kam  këtë përgjigje: Komisioni i Ligjeve është brenda afatit të përcaktuar në Kushtetutë dhe ligjin për komisionet hetimore  për ta shqyrtuar këtë kërkesë pasi neni 65 i Kushtetutës  thotë se "Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë".  Këtij Kuvendi i mbaron mandati në 9 shtator 2021, sot është 5 maj dhe akoma nuk ka hyrë ky Kuvend në fazën e  katër muajve të mbarimit të mandatit të kësaj legjislature. Komisioni i Ligjeve është brenda të gjitha afateve për të shqyrtuar kërkesën të 49 deputetëve.  Kuvendi duhet ta shqyrtojë dhe miratojë raportin e këtij Komisioni brenda këtyre afateve që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat