Rishikimi i historisë nga Akademia e Shkencave, Neritan Ceka: Jo për të përmbysur teza

Shqipëria

Rishikimi i historisë nga Akademia e Shkencave, Neritan Ceka: Jo për të përmbysur teza

Më: 5 maj 2021 Në ora: 15:45
Neritan Ceka

Arkeologu Neritan Ceka, përgjegjës për të redaktuar historinë e antikitetit dhe mesjetës në projektin e Akademisë së Shkencave për rishikimin e historisë komentoi për Euronews Albania nismën e ndërmarrë së fundmi.

Ceka tha se Akademia synon që të përpilojë një botim me të paktën dy-tre vëllime me historinë e shqiptarëve nga zanafilla e fiseve ilire deri në ditët e sotme, botim ky që do të jetë i përshtatshëm edhe për të huajt. Ai tha se ky botim nuk synon përmbysjen e tezave të shkuara historike por pasqyrimin e plotë të të gjitha fakteve të shqyrtuara dhe për këtë ai duhet të jetë i pranishëm në bibliotekat e të gjithave familjeve.

“Botimet duhet të jenë thellësisht shkencore, të vërteta dhe të pa-ekzagjeruara,” – u shpreh Ceka.

“Natyrisht problematikat shtohen, diskutimet janë më të nxehta kur vjen puna për pavarësinë, periudhën e mbretërisë, Lufta e Dytë Botërore, periudha e komunizmit, apo pas viteve ’90, natyrisht historia vazhdon, por Akademia vendosi ta ndalojë këtu shqyrtimin e madh të historisë së Shqipërisë,” – tregoi më tej arkeologu i njohur.

Ndryshe nga botimet e shkuara tashmë botimi i Akademisë së Shkencave do ta ketë titullin “Historia e shqiptarëve” dhe jo “Historia e Shqipërisë”. Arkeologu Ceka tha se kjo vjen për nga prejardhja dhe fakti se shqiptarët kanë jetuar gjithmonë në vise të ndryshme nga ato të kufijve aktual të Shqipërisë.

“Mendoj se nuk ka për të diskutuar kalimi nga ilirët te shqiptarët, nga pikëpamja e arkeologjisë është absolut, nuk është çështje e krenarisë kombëtare, por nuk kemi pse ekzagjerojmë lidhjen tonë me pellazgët nuk mund të bëhet pjesë e një vështrimi romantik për atë që arkeologjia ka fakte për të treguar se si formohet etnosi ilir që në fillimet e kohës së bronzit,” – tha Ceka.

Arkeologu Ceka tha se prirja për të kanalizuar dhe faturuar kontekste të historisë ka qenë problematike për historinë. Por ai theksoi se nisma e Akademisë së Shkencave nuk ka për qëllim përmbysjen e tezave të shkuara të historisë se sa paraqitjen e të gjitha fakteve të shqyrtuara.

Ceka u shpreh se në fushën e arkeologjisë interpretimi ka qenë më i qetë për sa i përket tezave kundërshtuese. Ai përmendi si ndër të vetmet përplasje çështjen për antikitetin nëse epirotët kanë qenë apo jo ilirë, gjë që sipas Cekës është e vërtetuar që po, pavarësisht përdorimit për politikë për të kundërtën.

Në grupin e punës së Akademisë së Shkencave ka një gërshetim mes brezave të studiuesve, ku përveç atyre të njohur ka dhe studiues të ri. Ceka garantoi se botimi i ri do jetë shkencor, korrekt dhe i mirë-shkruar.

Akademia e Shkencave ka në plan një projekt tjetër për fjalorin normativ dhe atë enciklopedik shqiptar, projekte të cilat Ceka i përgëzoi pasi mund ta rigjallërojë shkencën dhe trashëgiminë kulturore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat