Peshkatarët nga Turqia dhe Egjipti mbajnë në det flotën shqiptare të peshkimit

Shqipëria

Peshkatarët nga Turqia dhe Egjipti mbajnë në det flotën shqiptare të peshkimit

Më: 5 maj 2021 Në ora: 19:47
Hasan Ebif

Hasan Ebif ka ardhur nga Egjipti në Durrës kur ishte 25 vjeç dhe që nga ajo kohë punon si peshkatar në një nga anijet e këtij porti.

“Një daja im, që punonte në një fabrikë çimentoje në Shqipëri, u bë sebep që të vija këtu,” thotë Hasani, i cili në këto 12 vjet qëndrimi në Durrës, bashkë me zakonet e durrsakëve, ka mësuar të flasë shumë mirë gjuhën shqipe.

Tani ai ka një leje qëndrimi të rregullt për motive pune në Shqipëri, por në vitin 2008, duhet të bënte njëlloj siç bëjmë edhe ne në vendet e BE-së, pra nuk mund të qëndronte këtu më shumë se sa 6 muaj në vit.

Numri i të huajve që punojnë në sektorin e peshkimit në qytetin bregdetar tashmë e ka kaluar shifrën 100, dhe punëdhënësit ankohen se të rinjve vendas nuk u pëlqen ky profesion.

Ndërsa numri i të huajve, kryesisht egjiptiane dhe turq, në portin e peshkimit është shtuar së tepërmi, peshkatarët vendas që dalin në pension nuk zëvendësohen nga të rinjtë shqiptarë.

“Unë punësova disa kushërinj të mijë nga Përmeti në katër motopeshkatoret që kam në pronësi, por asnjëri prej tyre nuk qëndroi gjatë,” tha për BIRN Ilir Kapllani, i cili ka përfunduar studimet në degën e veterinarisë, dhe prej vitesh ka filluar të punojë në biznesin e peshkimit.

Iliri tregon se ka qenë i detyruar të punësojë 10-12 shtetas egjiptianë, pasi po aq peshkatarë nga Durrësi dolën në pension vitet e fundit, por thekson se nuk është penduar.

Ai vlerëson korrektesën dhe profesionalizmin e të huajve, të cilët vijnë përgjithësisht nga i njëjti qytet, pranë Aleksandrisë, në bregun e lumit Nil dhe detit Mesdhe njëkohësisht.

“Dinë të bëjnë gjithçka, nga punët e detit deri riparimi i rrjetave,” dëshmon Iliri, I cili nuk e fsheh edhe mërzinë që vendasit po i largohen këtij zanati.

Kafrelshikh quhet qyteti egjiptian nga ku ka ardhur edhe Hasani, i cili pohon se edhe i ati ka qenë peshkatar, njëlloj si shumë bashkatdhetarë të tij që kanë ardhur vitet e fundit në Durrës.

Dy vjet më parë atij i është bashkuar edhe i biri 18-vjeçar, i cili tashmë ka nisur punë një motopeshkatore tjetër.

“Muhamedi po pret  të marrë lejen e qëndrimit për punë,” thotë i gëzuar Hasani, ndërsa përshëndet miqtë e të njohurit e tij në kalatën dhe urat ku janë ankoruar anijet e peshkimit.

Ai thekson se peshkimi është një profesion shumë i vështirë – 4-5 ditë në det larg familjes e më pas edhe përgatitjet për lundrimin e ardhshëm.

“Në det bëhemi të gjithë një familje,” i kthehet bisedës 37-vjeçari nga Egjypti. Aq sa jemi, 4 apo 5 vetë, punojmë bashkë, hamë bukë bashkë, kujdesemi për njeri-tjetrin”.

Avniu, një peshkatar i vjetër nga Durrësi, kujton se para katër vjetësh një peshkatar egjiptian morri peng anijen ku punonte dhe iu drejtua vendit të tij, ndërsa thekson që ky është një sektor nuk ka qenë i lehtë as për egjiptianët.

“Pati një mosmarrëveshje me pronarin e anijes dhe në mes të detit ndërroi drejtim,” tha Avniu. “ Iku me gjithë anijen dhe morri thuajse me dhunë edhe dy peshkatarët e tjerë të anijes, të dy shqiptarë,” shtoi ai.

Aniu tregon se kjo histori që  përfundoi në faqet e para të gazetave pati një fund tragjik, pasi egjiptiani, të cilit ‘i kishte marrë koka e erë’, e hodhi në det njërin nga shokët e ekuipazhit

“Shokët e viktimës këtu në peshkim, jo pak herë u kërkonin pronarëve dhe kapitenëve që ti largonin nga anijet egjiptianët e tjerë që punonin këtu, po çfarë faji kishin këta të shkretët,” theksoi peshkatari i vjetër durrsak.

Përtej kësaj historie tragjike, Hasan Ebif dhe bashkatdhetarët e tij ua kanë fituar zemrën shokëve të peshkimit me punën dhe thjeshtësinë e tyre. Dikush u drejtohet për një këshillë zanati, një tjetër kërkon një vegël pune, një i tretë thjesht i fton në kafe.

“Janë djem të mirë e disa prej tyre mund ta kryejnë pa vështirësi detyrën e kapitenit të anijes, por ligji shqiptar nuk i lejon,” më thotë Besim Troplini, i cili përveçse kryen detyrën e nënkryetarit të Organizatës së Peshkimit, edhe punon prej 40 vjetësh në këtë sektor.

Besimi sqaron se peshkatarët e huaj duhet të kenë pasaportë shqiptare për të drejtuar një motopeshkatore dhe institucionet shqiptare duhet ti pajisin me këtë dokument ata që e kërkojnë.

“Ja, Hasani është një nga ata, por procedurat për tu pajisur me pasaportë janë mjaft të gjata,” tha ai. “Dhe po ashtu edhe ato për tu pajisur me leje qëndrimi për motive pune”.

Hasani ka një çantë plot me dokumente të çdo lloji, të cilat i ruan që kur ka ardhur për herë të parë në Shqipëri. Janë dokumentet e qëndrimit e të punësimit, kontratat  e qerasë për shtëpinë ku banon në një lagje pranë qendrës së Durrësit, faturat e paguara të ujit dhe energjisë e plot të tjera.

“Baba më ka mësuar, ‘mos i hidh shkresat’, tregon ai, dhe më pas më thotë: “Mezi po pres që të vijë edhe gruaja me vajzën nga Egjipti. Ja më thuaj ti, a ka kuptim që jetojmë të ndarë? Unë me djalin këtu ajo me vajzën atje”.

Ai shton se ndonjëherë mblidhet me bashkatdhetarët e tij për të festuar Vitin e Ri, apo ndonjë festë tjetër, por familja sipas tij është gjë tjetër.

Gati gjysma e peshkatarëve në Durrës tashmë janë të huaj, shumica egjiptianë, por nuk mungojnë edhe turqit. Dhe duket se e njëjta gjë po ndodh edhe në Vlorë e Shëngjin.

E pyes Besimin se përse vendasit i largohen këtij profesioni.

“Çfarë të them? Një nga nipat e mijë po bëhet 30 vjet në këtë punë, dy të tjerët ikën nga peshkimi pas disa muajsh,” thotë ai, ndërsa shton se shteti duhet të nxisë punësimin në këtë sektor.

“Dega e peshkimit që u rihap në shkollën e hoteleri-turizmit duhet të forcohet, pasi edhe ne jemi mjaft të interesuar për të rinjtë që duan të punësohen këtu,” përfundoi Besim Troplini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat