Alibeaj: Basha s’duhet të dorëhiqet, ka pas vetes 622 mijë qytetarë

Shqipëria

Alibeaj: Basha s’duhet të dorëhiqet, ka pas vetes 622 mijë qytetarë

Më: 5 maj 2021 Në ora: 19:56
Enkelejd Alibeaj

I ftuari i mbrëmjes në edicionin e lajmeve në syri ishte Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike. Ai komentoi fillimisht për Juli Krisafin takimin e mbrëmshëm të PD-së.

“Nuk ka asgjë për të fshehur nga takimi i mbrëmshëm. Ishte një mbledhje në vazhdim të mbledhjes së një dite më parë. Përveç një falënderimi për punën e bërë, u bë edhe një sqarim për situatën aktuale,” tha Alibeaj.

I pyetur se a ka kontradiktë mes mosnjohjes së zgjedhjeve dhe hyrjes në parlament, Alibeaj tha se nuk e vendos Lulzim Basha apo PD nëse zgjedhjet ishin të ndershme apo jo.

“Procesi zgjedhor i datës 25 prill ka qenë një proces ku u përdor e gjithë administrata, u përdor paraja e buxhetit të shtetit, u përdorën skalione kriminale, u përdorën të dhënat personale, u ndryshuan rregullat e lojës,” tha Alibeaj, duke shtuar se rezultati nuk i përgjigjet vullnetit të shqiptarëve.

“Shqetësimin për shitblerjen e votave e kishim që përpara 25 prillit. Përgjatë tre muajve të fushatës, pata dy ndjesi. E para ishte makthi që vinte nga proceset e mëparshme elektorale: përdorimi i krimit, shtetit, parasë. Këtë makth e vëreja çdo ditë gjatë këtyre tre muajve. Ndjesia e dytë ishte se pashë një angazhim, një masivitet dhe një çlirim të njerëzve. Ajo që ne besuam ishte se masiviteti i pjesëmarrjes së njerëzve do të ishte i mjaftueshëm për të përmbysur këtë deformim. E kam pasur unë, besoj se e kanë pasur edhe të tjerë,” tha Alibeaj.

Ai deklaroi se PD do e luftojë të keqen në parlament dhe jo vetëm.  “Do të përdorim çdo mjet,” tha ai, duke shtuar se nuk përjashtohen as protestat.

Alibeaj e mohoi në mënyrë kategorike dorëheqjen e kryetarit, Lulzim Basha.

“Kryetari Basha ka pas vetes jo më pak se 622 mijë qytetarë, jo vetëm demokratë, por edhe të majtë. PD është më e fortë se dje. Forcë, maturi dhe pjekuri. Kjo është rruga që do çojë drejt përmbysjes së regjimit,” tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat