Gulielmi do gajasej duke e qesëndisur hipokrizinë e kryeministrit!

Shqipëria

Gulielmi do gajasej duke e qesëndisur hipokrizinë e kryeministrit!

Nga: Ilir Çumani Më: 5 maj 2021 Në ora: 20:32
Ilir Çumani

Zoti Kryeministër! Si mundesh të jesh kaq cinik, kaq i paskrupull, kaq i pacipë dhe kaq i lëtyrosur në çdo qelizë të produktit tënd të pandjeshëm e të padhembshur..!? Si mundesh ti, që për fat të keq je edhe Kryeministri i shqiptarëve, sot, në ditvdekjen e Gulielmit, kësaj ikone të Artit tonë skenik e kinematografik nuk ndalesh, nuk hesht, nuk reflekton pendesën për të manifestuar qoftë edhe formalisht kodin e heshtjes dhe të respektosh sado pak dëshirën e fundit të të ndjerit që e lë përgjithmonë botën e të gjallëve, së paku si një gjest të një ndërgjegjeje të munguar për talljen, shpërfilljen, përçmimin dhe përbuzjen sistematike që ke shfaqur hapur për atë pjesë të konsiderueshme të komunitetit të nderuar të artistëve, ndaj atyre që hapur nuk ishin në një mëndje me ju dhe me zullumet e tua...!?

Si mundet me statuset e tua në facebook të jesh kaq hipokrit dhe i gënjeshtërt në sy të njerëzisë edhe në ditëmort me ata artistë që në gjallje i qesëndisje me cinizëm, me sarkazmën tënde banale e vanitoze, duke synuar me sjelljet e tua delirante stigmatizimin dhe poshtërimin e dinjitetit të tyre, vetëm e vetëm sepse në bindjet e tyre këta artistë ishin me “ata” dhe nuk ishin me “ne”, (pra nuk ishin me ju...?!”). O Zot!

Ç’farë gjaku lëviz në dejet e tua o njeri, jam kurioz ta di...!!! Z. Kryeministër! Ju e dini fare mirë se artisti i madh, gjigandi i skenës dhe i ekranit Gulielm Radoja nuk kishte asnjë lloj empatie ndaj jush. Pra, nuk kishte asnjë ndjesi pozitive ndaj jush, sepse ai nuk vlerësonte asgjë si  qënie sociale dhe shoqërore, por, edhe në atë humane! Si politikan dhe burrë shteti jo e jo! Përkundrazi! Në takimet dhe bisedat e shumta miqësore me Lemin, (kështu e therritnin miqtë e ngushtë të zemrës), kuptoja fare qartë se ju nuk gëzonit asnjë fije respekti prej tij. Sikundërse, jam i bindur se edhe ju e keni ndjerë dhe e keni kuptuar qartë se ky artist dinjitoz edhe si NJERI, me përmasa të jashtëzakonshme, nuk ka ekzistuar dhe nuk ekzistonte për ju deri në çastet kur ai mbylli sytë dhe zemra e tij pushoi së rrahuri në spitalet e mjeruara të Covid 19 të Durrësit dhe Tiranës.

Ai iku nga kjo botë me një mal zhgënjimesh dhe brengash që shteti shqiptar me mosmirënjohje ndaj tij  ia rëndoi edhe më shumë barrën e dhimbjes, duke u dergjur në shtrat për një muaj rresht, i cflilitur nga flama e pandemisë, por sërish dinjitoz si Ai, pa të shtrirë dorën dhe pa të kërkuar asnjë ndihmë për një shërbim mjekësor më të specializuar jashtë vendit. Iku, ashtu siç dinë të ikin dinjitarët e mëdhenj të kombit, të cilët e përçmojnë mëshirën dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit Njerëzor! Sot, në ditvdekjen e Guliemlit të dashur për të gjithë shqiptarët, pa pritur më erdhi në mendje komedia e njohur Andon Zako Çajupit,  “Pas Vdekjes”.

Nëse i madhi Gulielm Radoja për një çast do të ishte në rolin e doktor Adhamudhit, e, nëse do të shikonte në facebookun z. Rama nekrologjinë e tij, ai nuk do ta merrte fare seriozisht, por si okatar i këndshëm që ishte në jetën e përditshme do gajasej duke e qesëndisur hipokrizinë e Kryeministrit tonë!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat