Ben Andoni: Vlonjatët nuk e durojnë ligjërimin tallës të Ramës

Shqipëria

Ben Andoni: Vlonjatët nuk e durojnë ligjërimin tallës të Ramës

Më: 5 maj 2021 Në ora: 22:39
Ben Andoni

Gazetari Ben Andoni, i ftuar në studion e “Ilva Now”, bëri një analizë mbi rezultatet e tre partive kryesore për zgjedhjet e 25 prillit në qytetin e Vlorës. Z. Andoni tha se pavarësisht përpjekjeve të PS-së, PD-së dhe LSI-së, populli i Vlorës nuk ka marrë pjesë në zgjedhje aq sa pritej të ndodhte.

“Ka një rekomandim të OSBE ODIHR i cili flet për edukimin e elektoratit. Në Vlorë janë investuar bateritë më të mëdha të PD-së, PS-së dhe LSI-së dhe ky publik kishte pjesëmarrjen më të ulët”, u shpreh z. Andoni.

Ben Andoni theksoi se elektorati i mundshëm i PD-së në Vlorë, janë ata persona që janë mërzitur me ligjërimin e Ramës, të cilën z. Andoni e konsideron tallës.

“Ndërsa PD-ja rezulton se ka luftuar jashtëzakonisht fort dhe ka luftuar me atë pjesën e vlonjatëve të cilët janë të mërzitur nga ligjërimi i z. Rama, që është tallës. Vlonjatët janë popull që nga pikëpamja antropologjike e vuan shumë qesëndinë”, tha z. Andoni.

Ben Andoni shtoi më tej se populli i Vlorës nuk toleron qesëndinë dhe kjo është arsyeja pse sipas tij, pavarësisht investimeve të kryeministrit Rama, ka pasur një pjesëmarrje të ulët në zgjedhje.

“Ata po përgatiten për një investim të madh në Vlorë, rrugën për pjesën e jugut por ky publik nuk tregoi vetëm një edukatë jo normale për sa i përket kësaj por edhe një qesëndie ndaj politikës”, tha z. Andoni

Ben Andoni tha se të tri partitë kanë dështuar në Vlorë, pavarësisht investimeve të z. Rama, luftës së PD-së dhe fushatës së LSI-së.

“Unë mendoj se politika realisht ka dështuar, tri partitë, paçka se me atë përqindje të vogël PS, i ka strukturat dhe i ka marrë zgjedhjet. LSI-ja nuk arriti dot sepse është e shpërbërë dhe ka qenë qesharake ajo që kanë bërë në Vlora”, tha z. Andoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat