Formalizimi i deformimit

Shqipëria

Formalizimi i deformimit

Nga: Jak Simoni Më: 7 maj 2021 Në ora: 21:57
Jak Simoni

Qetësia, kryesisht ditën e votimeve, sepse pak ditë përpara pati dhe episode dramatike si vrasja dhe disa plagosje, na beri të mendonim se, pa prit pa e menduar, qenkemi zgjuar një ditë të bukur pranvere në një Shqipëri vërtetë demokratike, ku zgjedhjet bëhen normalisht si në vendet tjera demokratike. Por shumë shpejt u kuptua se nuk ishte kështu. Rregullsia ishte vetëm formale, gjithçka tjetër ishte si herët tjera.

Dhe kësaj here dominoi  mashtrimi, demagogjia, përdorimi i burimeve shtetërore dhe blerja e votës. Mungesa e besimit në institucione është e  tillë që vota shitet pa hezitim nga shtresat e varfra, të cilat nuk janë pak.  

Gjithçka po përcillet thuajse në mënyrë normale me gëzimin e fitores nga njëra palë, duke u bërë jehonë arritjeve, dhe me justifikimin e palës tjetër se nuk i humbëm por na i vodhën. Meqenëse formalisht  jemi pak a shumë në  rregull, dhe moralisht në rregull duhet të jemi. Në fakt jetojmë epokën e formalitetit, jo vetëm në raportet institucionale, por dhe ato njerëzore.

Rëndësia që merr ana formale u duk tek rritja e vlerës (çmimit)  të votës në pazarin gjysmë të fshehtë. Çmimi i votës është rritur, sepse para ca kohesh nuk ishte e nevojshme të blihej vota; blihej komisioneri dhe numëruesi. Dhe këtë herë kishim deformim  të vullnetit, ku masa pak a shumë e madhe  e votuesve të thjeshtë ngelen syhapur duke pritur demokracinë nga qielli. Për të bërë një krahasim me vendin tonë nuk mund të gjesh shtet në rajon, por duhet bërë  një kërcim karkaleci gjigand ne lindje. Jo vetëm Mali i Zi, por dhe Maqedonia e Kosova për ne janë në perëndimin  demokratik.

Mentaliteti oriental, injoranca, korrupsioni e varfëria kanë zhytur shqiptarët  në një moçal apo llucë nga e cila, siç thoshte logjicieni i shquar gjerman Gotlob Frege, nuk dalin dot duke kapur vetë flokët e tyre. Natyrisht në këtë llucë parazitët e shoqërisë kanë gjetur më  së  miri habitatin e tyre, por shumica e shqiptarëve viktima që duan demokracinë e vërtetë duhet  të kërkojnë forca jashtë Shqipërisë; pikësëpari të kërkohet vota e emigrantëve dhe e shqiptarëve të Kosovës që kanë nënshtetësi shqiptare, të cilët nuk do të kufizohen vetëm tek Vetëvendosja, ku gjithsesi pjesëmarrja e saj në zgjedhje në Shqipëri ishte pozitive. Gjithashtu forcat opozitare në Parlament dhe jashtë saj duhet të  kërkojnë një reformë zgjedhore që u jep mundësi dhe forcave të reja politike. Në këto kushte mund të marr fund bipolarizimi kontrktual që garanton qeverisje të qetë me radhe, ku deri tani ishte tetë vjet njëri tetë tjetri, ndërsa tani po bëhet me nga dymbëdhjetë

. Po të votonin emigrantët dhe shqiptarët e Kosovës me nënshtetësi shqiptare, patronazhistët dhe sondazhet do ta kishin me të vështirë parashikimin, kështu që biznesmenët e votave  do të mendoheshin pak më shumë para se të blinin votuesit. Gjithashtu me forca të reja në parlament dhe zgjedhjet do të ishin më të shpeshta, kështu që do të vështirësonin biznesin fitimprurës të votave.  

Në këto kushte ndoshta procesi zgjedhor dhe institucionet do të marrin më shumë rendësi se fituesi, i cili duhet të dalë nga zgjedhjet e jo të jetë i paracaktuar nga sondazhet. Shpresoj të mos jetë utopi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat