Tkurrja e popullsisë, sociologu Dragoti: Duhen incentiva për çiftet e reja

Shqipëria

Tkurrja e popullsisë, sociologu Dragoti: Duhen incentiva për çiftet e reja

Më: 7 maj 2021 Në ora: 23:23
Edmond Dragoti

Popullsia e Shqipërisë u tkurr me 16 mijë persona gjatë vitit 2020. Grafiku i uljes së numrit të popullsisë, vazhdon prej vitit 1990 dhe nuk po shënon thyerje.

Raportet lindje-vdekje-migracion tregojnë se në 10 qarqe numri i banorëve u tkurr nga 1000 deri në 4000, ndërsa Tirana e Durrësi shënuan rritje. E parë në hartë, më shumë se gjysma e banorëve e kanë lidhur jetën në 3 nga 12 qarqet të vendit. Sa i përket rajoneve të tjerë, pesë prej tyre zënë 2 % deri 5 % të popullsisë gjithsej.

Popullsia e Shqipërisë në vitin 2031, sipas projeksioneve të përditësuara, llogaritet të jetë 2.745.996 banorë. Ky numër është rreth 36 mijë banorë më pak krahasuar me numrin e popullsisë në Projeksionet e Popullsisë në vitin 2011.

Sociologu, Edmond Dragoti shprehet se ndikim ka pasur pandemia dhe distancomi social pasi bëri që një pjesë e të rinjve emigrantë të mos kishin mundësi të ktheheshin në vend.

Por gjithashtu sipas tij një tjetër faktor që ka ndikuar është tendeca e të rinjve për të shmangur martesën, e cila ka sjellë rënien dhe dobësimin e familjes dhe nevojën më të pakët për fëmijë të çifteve të reja.

Pasoja e plakjes së popullsisë do të sjellin ulje të ritmit të zhvillimit të vendit dhe për këtë arsye nevojiten incentiva për të motivuar lindjet qoftë me punësimin dhe strehimin.

“Në shumicën e rasteve çiftet e reja nuk duan të bëjnë fëmijë se kanë pasiguri për strehimin dhe punën. Kjo sjell kufizimin e dëshirës për të pasur fëmijë. Nuk mjafton një pagesë fillestare, problemi është rritja pasi fëmija kërkon përkujdesje të vazhdueshme”, u shpreh z. Dragoti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat