Dy histori kineze me President Shqiptar

Shqipëria

Dy histori kineze me President Shqiptar

Nga: Ramiz Lushaj Më: 7 maj 2021 Në ora: 23:49
Foto ilustrim

1.

Gazetari çam i gazetës “Kosova” në Tiranë shkruante rreth seancave gjyqësore ndaj Nexhmije Hoxhës në Gjykatën e Kryeqytetit, ku në një rast, qysh në titull të faqes së fundit, ironizonte dhe Mao Ce Dunin, ish Presidentin e Kinës (1954-‘76).

Asokohe në seancën e rradhës, korrespondenti në Tiranë i “Zhemin Zhibao” (ma e madhja gazetë në Kinë, organ i PKK) ia mbrrini në sallën e gjyqit me gazetën “Kosova” në dorë, tejet i revoltuar, duke iu drejtue ashpër gazetarit të njohur, tuj-e i fol në shqip:

-Ju e keni shkruar këtë shkrim, ku flisni keq për Presidentin Tim… -Po…-i tha ai. -Me këtë stilograf…- e ripyeti për siguri, për saktësi. Gazetari ia pohoi se me atë stilograf e kishte shkruar atë shkrim për Mao Ce Dunin. -Mundet të ma jepni pak stilografin tuaj - iu lut gazetari kinez. Dhe…Ç’ndodhi?!

Ai ia theu në dy copë stilografin, duke i thënë: - Me këtë stilograf keni bërë gabim që keni shkruar për Mao Ce Dunin Tim. Nëse do të ndodh përseri…!

Kjo histori m’u rikujtua në atë ditë të premte të 30 prillit 2021 kur 49 deputetë (gabimisht i numratojnë 50) dhe për nji çast deshta të ishja “gazetari i Zhemin Zhibao-s kineze”, por koha ka me dëshmue se ka për “me iu thye” përgjatë rrugës legjislative apo juridike “stilolapsi i firmëtarit”…!

2.

Tek Rruga e Kavajës, në fillimvitet ’90, ishte një firmë shqiptaro-kineze (shtypshkronjë), me pronarë kinez dhe me dy inxhinierë të njohur të tipografisë shqiptare. Edhe makinisti i shtypshkrimit ishte kinez.

Një gazetë e Tiranës, periodike e majtë, kishte në faqen e saj të parë një karikaturë (me tejkalime etike) të Presidentit të Shqipërisë. Makinisti kinez, tuj shtyp kopjet e para të saj, përgjatë kontrollit të cilësisë së shtypshkrimit, e sheh karikaturën…-Ky është Presidenti i Shqipërisë, Presidenti i Juaj, edhe i imi se punoj në Shqipëri. Një botim me karikaturë të tillë të Presidentit nuk do ta shtypja as në vendin tim, po të ishte për Presidentin e Kinës.

Personeli shqiptar, përmes përkthyesit, i banë me dije se “Gazeta është e paguar për t’y shtypur në tirazhin e caktuar”, por askush nuk ia mbushte dot mendjen makinistit kinez të shtypshkronjës. Atij nuk i interesonte aspak fakti i pagesës monetare të gazetës, nuk joshej sadoqë të ishte shuma e lekëve, përballë ndërgjegjes, ideologjisë e traditës së tij politike kineze.

Kjo m’u kujtua, përkitazi, në ditën e sotme, të premten tjetër të 7 majit 2021, kur jo veç deputetët e PS-së, por dhe ata të të ashtuquajturës “Opozitë Parlamentare” i ngritën “kartonat” e miratimit të Komisionit Hetimor të Kuvendit për politikanin e shtetarin Ilir Meta, për Presidentin e Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat