VOA: Shkodër, Vullnetarët e Kryqit të Kuq përgatiten për dhënien e ndihmës së parë

Shqipëria

VOA: Shkodër, Vullnetarët e Kryqit të Kuq përgatiten për dhënien e ndihmës së parë

Më: 8 maj 2021 Në ora: 20:00
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Ditën Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Kryqi i Kuq Shqiptar ka zgjedhur të përcjellë mesazhin e nevojës së dhënies së ndihmës së parë në rastet e aksidenteve automobilistike. Donada Hamzi, instruktore e ndihmës së parë thotë se, në të 36 degët e Kryqit të Kuq Shqiptar po zhvillohen sot konkurset lokale të dhënies së ndihmës së parë me pjesëmarrjen e dhjetra vullnetarëve.

“Sot ne kemi trajnuar disa vullnetarë të gjimnazeve dhe universiteteve të ndryshme, të cilët po zhvillojnë sot konkursin. Janë rreth 5 grupe që po japin teknikat e dhënies së ndihmës së parë. Ata janë trajnuar prej rreth një muaji për të zhvilluar sot konkursin dhe, grupi më i mirë prej tyre, do të na përfaqësojë në konkursin kombëtar që do të zhvillohet në muajin tetor me të gjitha degët e Shqipërisë”, thotë ajo.

Shtimi i numrit të automjeteve që lëvizin në rrugët e Shqipërisë, problematikat në sinjalistikën rrugore dhe vetë gjendja e një pjese të akseve rrugore, po ndikon në shtimin e numrit të aksidenteve rrugore, me pasoja për shëndetin e qytetarëve. Kjo është edhe arsyeja, thotë instruktorja Hamzi, që Kryqi i Kuq Shqiptar prej vitesh mbështet programin e dhënies së ndihmës së parë.

“Kryqi i Kuq organizon programe të ndihmës së parë edhe për individë dhe institucione të ndryshme në rastin e patentave. Interesi i shfaqur nga njerëzit është gjithmonë në rritje. E dimë se në ç’situatë është Shqipëria, e dimë se aksidentet mund të na ndodhin në çdo moment dhe se ndihma e parë konsiderohet si minuti i artë, pasi mund të shpëtojë edhe jetë, nëse do të jepet në teknikën e duhur dhe në vartësi të problemit që ka personi”, thotë ajo.

Gjatë ditës së sotme, dhjetra të rinj, vullnetarë të Kryqit të Kuq, demonstruan në mjedise të hapura teknikat e dhënies së ndihmës së parë në rastet e aksidenteve automobilistike.

Vitin e kaluar, për shkak të masave kufizuese dhe mbylljes nga pandemia, pati një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve rrugore. Por, në tremujorin e parë të këtij viti numri i aksidenteve u rrit ndjeshëm duke arritur ne 323 aksidente rrugore, nga 264 aksidente të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky shtim i numrit të aksidenteve rrugore, sipas drejtuesit të Kryqit të Kuq në Shkodër, Andi Çekaj, kërkon një ndërgjegjësim më të madh të drejtuesve të automjeteve, por edhe përgatitjen e tyre për dhënien e ndihmës së parë.

“Jo gjithmonë shërbimet ambulatorë janë, ose vijnë në momentin e duhur kur rrezikohet jeta e njerëzve dhe, kushdo që ndodhet aty pranë, nëse rasti paraqet rrezikshmeri për jetën, është njerëzore që të ndihmojmë njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja kryesore që Kryqi i Kuq, në të gjithë Shqipërinë, organizon këto aktivitete dhe proograme për t’i eduku të rinjtë se si duhet të jepët ndihma e parë”, thotë ai.

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i të aksidentuarve në tremujorin e parë të këtij viti është 418 persona nga 360 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë kësaj periudhe humbën jetën në aksidentet rrugore 58 persona, 19 prej të cilëve vetëm gjatë muajit mars të këtij viti, çka dëshmon, sipas vullnetarëve të Kryqit të Kuq, rëndësinë e dhënies së ndihmës së parë në rastet e aksidenteve rrugore./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat