"Shqipëria po thinjet", sociologu Tushi: Vakancat nga emigrimi mund të plotësohen me të huaj

Shqipëria

"Shqipëria po thinjet", sociologu Tushi: Vakancat nga emigrimi mund të plotësohen me të huaj

Më: 10 maj 2021 Në ora: 17:31
Foto

Ndërsa shifrat e INSTAT tregojnë për një ulje të lindshmërisë dhe rritje të vdekshmërisë sociologu Gëzim Tushi thotë se shoqëria shqiptare po shkonë drejt thinjes. Kjo gjendje rrezikon të sjellë efekte negative sociale, ekonomike dhe kulturore.

Plakja dhe tkurrja e popullsisë pritet të sjellë një ndikim negativ në aspektin social, ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë.

Sipas INSTAT, mosha mesatare e vendit është rritur me 37.6 vjeç dhe popullsia gjatë vitit të shkuar është tkurrur me 30 mijë banorë.

Sociologu, Gëzim Tushi, thotë se nëse do të vazhdojmë me këto ritme shoqëria shqiptare pas disa vitesh do të jetë e thinjur.

"30 vjet më përpara ne kishim 2.3 fëmijë për grua dhe ishim afër 4 milion banorë dhe sot kemi filluar të rrudhemi për këto faktorë, kemi filluar të plakemi dhe të bëhemi shoqëri me flokë të bardha."

Kjo situatë shpjegohet me mungesën e politikave sociale për inkurajimin e familjeve të mëdha dhe mundësitë e pakëta për punësim.

"Nëqoftëse nuk mbështetet familja nga pikëpamja financiare, ekonomike dhe me shërbime të specifikuara siç janë kopshtet, çerdhet, atëherë do të thotë se njerëzit do të druhen për të sjellë fëmijë në jetë. Së dyti, duhet të zgjerohet fronti i punës, tregu i punës. Duhen politika për nxitjen e biznesit, zgjerimin e tregut të punës në mënyrë që të demotivohet emigracioni."

Një fenomen shqetësues është dhe emigrimi. Vakancat e shkaktuara prej tij, thotë Tushi, mund të plotësohen me të huaj.

"Të jeni të sigurt se nëqoftëse do të vazhdojë plakja e popullsisë në Shqipëri, fare nuk duhet të habitemi që këto vakumet demografike këtu dhe kërkesat e tregut të punës këtu do të plotësohen me emigrantë të ardhur nga vendet e tjera dhe kjo është krejt normale që të ndodhë."

Vitin e fundit në Shqipëri kanë ardhur në jetë 1.7% foshnje më pak se një vit më parë ndërsa vdekshmëria është rritur me 25.8%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat