Bujar Nishani bën deklaratën e fortë: Nuk pres që ankimimet e PD të ndryshojnë rezultatin e 25 prillit!

Shqipëria

Bujar Nishani bën deklaratën e fortë: Nuk pres që ankimimet e PD të ndryshojnë rezultatin e 25 prillit!

Më: 10 maj 2021 Në ora: 21:49
Bujar Nishani

Ish-Presidenti Bujar Nishani bëri një deklaratë të fortë në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, teksa foli për procesin zgjedhor të 25 prillit.

Si një zë kundër kryedemokratit Lulzim Basha dhe që kërkon dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë, Nishani u shpreh se zgjedhjet e 25 prillit janë mbyllur dhe rezultati nuk do të ndryshojë.

Ish-Kreu i Shtetit tha se nëse ankimimet e bëra nga PD për ripërsëritje të procesit në 9 qarqe do të ndryshojnë rezultatin, do të kërkojë falje publike, por sipas tij, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë.

Pjesë nga diskutimet:


Skënder Minxhozi: I qëndroj atyre që kam thënë, por i tërhiq të gjithë ato që kam thënë për Presidencën Nishani, kur u njoha me Presidencën Meta. Z. Nishani ka qenë një President i zgjedhur nga partia dhe nuk e ka fshehur kurrë këtë. Kur Presidenti i lejon vetes të ketë humore, pëlqime, mospëlqime, siç po shohim z. Meta, këtu jemi komplet jashtë terrenit kushtetues.

Duke u ndalur te z. Nishani, mendoj se Basha nuk mund të bëjë garë me veten e tij, ai u zgjodh nga ju që t’iu sillte në pushtet dhe jo që të merrte më shumë pushtet. Që të sqarojmë diçka për mua është themelore, jo vetëm për 25 prillin, por për atë garë që ju kërkoni të mbillni në PD. Dua t’iu pyes: A janë të mbyllura zgjedhjet e 25 prillit, në pikëpamjen e fituesit dhe humbësit? E dyta, unë kam qenë i bindur se PD nuk duhet të heqë vetëm Lulzim Bashën, por duhet të mbyllë kapitullin e Sali Berishës. Këtu ndahemi, sepse ju thoni se Berisha është një aset i madh politik i politikës. Por unë kam përshtypjen se Berisha me Bashën kanë krijuar një iluzion, që nuk e di se cili është në të vërtetë. A është e vërtetë që jo vetëm fatin e Bashës e ka influencuar Berisha, kur ai ka qenë keq, por ndoshta kjo parti është sot një amalgamë emrash, shpesh të bashkuar mekanikisht, mes paraardhësit dhe pasardhësit?

Bujar Nishani: Padyshim që zgjedhjet janë mbyllur nga pikëpamja formale dhe rezultati nuk mendoj se do të ndryshojë. Ka pasur gjykim nga OSBE/ODIHR, nga Departamenti i Shtetit, nga BE. PD ka bërë disa ankimime dhe ne presim. Nëse do ndryshojë rezultati me ato që ka paraqitur PD, unë do të kërkoja falje, por nuk pres që të ndodhë. Në atë çka kam arritur unë si konkluzion, është se unë kam krijuar bindjen se ky është një artikulim i pandershëm që ka ardhur nga z. Basha, për të ushqyer opinionin publik, për të dubluar paaftësinë e tij. Basha nuk arriti të krijojë ekuilibër. Çdo parti ka disa instrumente të rëndësishme, Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar. Nëse në PD Kryesia themelohet përmes një procesi fars, anëtarët e saj nuk kanë mundësi për të shpalosur profesionalitetin e tyre politikë. Pra, nëse kryetari bën një listë me 30 emra dhe i thotë Këshillit Kombëtar të votojë 25 prej tyre, atëherë nuk ka zgjedhje. Nëse ti je i zoti si lider, protagonizmin politik e inkorporon brenda partisë.

Sokol Balla: A është e aftë sot PD ta bëjë këtë gjë, duke sfiduar protagonizmin e individëve me influencë, sic është z. Berisha?

Nishani: Deri tani mekanizmat nuk i kemi pasur reale, por ireale, për t’i shërbyer kryetarit. Është normale që të ketë hierarki në parti. Unë e shoh sot PD të rrudhur, të larguar nga qytetari. Ka ardhur duke u rrudhur nga viti në vit, për shkaqe të ndryshme, që le t’i mbeten një analize. Nëse nuk ndryshohet kjo gjë, nuk sjell asgjë pozitive për asnjë demokrat, por as për shoqërinë në tërësi. Gjithçka duhet të nisë me një debat të madh, me një analizë dhe një sendërtim të ligjit brenda partisë, ku roli dhe protagonizmi i çdo njeriu, që do të bëhet pjesë, të jetë i garantuar si kontribut dhe si e drejtë. Kjo të vijë si hierarki nga poshtë lart, që do të thotë sa më lart të jesh, aq më shumë kontribut të marrësh dhe aq më shumë hapësirë debati të kesh. Kjo do mendësi të hapur, nuk është e thjeshtë për të ndodhur. Nis me krijimin e një terreni normal. Sot PD ka mbetur në performancën e 2015, ndërkohë që duhet të fillojmë të përgatitemi për 2025. Qeveria filloi sot përgatitjet. Edhe ne sot duhet të fillojmë përgatitjet. Ndërkohë që ne kemi nevojë për një evolucion të jashtëzakonshëm. Nuk ka rrugë tjetër, s’ka alternativë tjetër. Ose do vazhdojmë të jemi humbës, ose do pësojmë një ndryshim aq të thellë në fytyrat, thithjet, brenda partisë. PD duhet të ndryshojë dhe nuk ndryshon dot ai i cili e ka ndërtuar këtë model deri më sot. Duhet një gjeneratë e re me mendësi ndryshe, me ego të re, për të qenë në vijën e parë. Në Shqipëri sot nuk ka shumë dallime ideologjike mes kampeve politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat