Patozi tregon si mund të mposhtet qeveria nga opozita

Shqipëria

Patozi tregon si mund të mposhtet qeveria nga opozita

Më: 12 maj 2021 Në ora: 14:40
Patozi tregon si mund të mposhtet qeveria nga opozita

Ish-kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi shprehet se Shqipëria do të jetë një vend më i lirë, më i drejtë, më i pakorruptuar dhe më demokratik, vetëm në rast se do të ndryshojë mendësia e drejtimit të tij.

Për Patozin, sot më shumë se asnjëherë tjetër, ka vlerë një projekt politik, i cili sjell një model të ndryshëm nga ai që përfaqësojnë sot dy partitë kryesore në vend.

“Mund të duket si ide romantike, por sot më shumë se asnjëherë tjetër ka vlerë një projekt politik, i cili sjell një model të ndryshëm nga ai, që përfaqësojnë sot dy partitë kryesore në vend. Qofsha i gabuar, por unë nuk besoj se duhen shpenzuar ende energji për t’i ndryshuar nga brenda formacionet politike, të cilat nuk bëjnë zgjedhje. Do të mjaftonte ky fakt për t’ia kursyer vetes dhe publikut, si kohën, ashtu edhe përpjekjet. Nuk është rastësi që të dy udhëheqësit e mëdhenj janë fokusuar sot tek kongreset e partive të tyre. Sepse duan të fshijnë sa më shpejt edhe gjurmët e fundit të ndonjë mendimi kritik apo mosaprovues, që mund të ketë mbetur aty. Edi Rama mirë që nuk tha se e ka private partinë, sepse vetëm u komunikoi të gjithë socialistëve të tjerë datën e kongresit të jashtëzakonshëm, të cilin e kishte caktuar ai vetë. Ndërsa Luli është më i parashikueshëm. Ka gjithmonë të njëjtin hall, çdo katër vjet, më 22 korrik. Por tek e fundit, secili bën atë punë që i caktuar vetes dhe askush, që ka vendosur të merret me politikë, nuk duhet të kushtëzohet apo të dekurajohet nga qëndrimet e tyre.”

Sipas tij, Shqipëria nuk mund ta presë ndryshimin asnjëherë nga qeveria, por nga opozita.

“Problemi është se Shqipëria nuk mund ta presë ndryshimin asnjëherë nga qeveria, sepse asaj as takon, as e ka për detyrë, dhe as që i shkon ndërmend ta sjellë, sidomos në kushtet, kur nuk i ka dalë keq, të paktën në tre zgjedhjet e fundit. E gjithë barra është e opozitës, e cila në rastin më të keq duhet të rishpikë vetveten, që minimumi të shpresojë një përmbysje të raporteve të forcave politike në vend në zgjedhjet e radhës. Koha ka treguar se opozita e mund qeverinë, vetëm në rastet kur tregon se është e ndryshme prej saj, dhe jo kur thjesht e rivalizon për t’i marrë pushtetin. Kjo është ligjësi e përbotshme, e cila është provuar me një saktësi perfekte edhe në Shqipëri, sa herë ka pasur zgjedhje.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat