Pasojat e pandemisë/ Sejko: Rimëkëmbja ekonomike, jo e plotë! Nevojë për stimul të lartë monetar

Shqipëria

Pasojat e pandemisë/ Sejko: Rimëkëmbja ekonomike, jo e plotë! Nevojë për stimul të lartë monetar

Më: 13 maj 2021 Në ora: 09:00
Gent Sejko

Pavarësisht intensifikimit të vaksinimit dhe situatës pandemike në vend që prej javësh paraqitet e përmirësuar, pasojat në ekonomi mbeten ende të pranishme.

Kjo jo vetëm në nivele ende të ulëta të kërkesës agregate, në rënien e punësimit dhe në rritjen e papunësisë, por edhe në normën e inflacionit që vijon të mbetet nën objektivin 3 për qind.

Në këto kushte, vuri në dukje Guverantori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, politika monetare duhet të vijojë të mbetet në krahun lehtësues. Stimuli monetar, sipas Sejkos, do t’i shërbejë nxitjes së konsumit dhe të investimeve. “Këshilli Mbikëqyrës vëren se në stadin aktual rimëkëmbja ekonomike nuk është e plotë dhe faktorët mbështetës të saj nuk janë ende të konsoliduar. Në këtë kontekst, Këshilli gjykon se politika monetare duhet të vijojë të mbetet në kahun lehtësues. Stimuli monetar do t’i shërbejë nxitjes së konsumit dhe investimeve, çka do të përkthehet më tej në rritje të punësimit, të pagave dhe të marxhave të fitimit, në linjë me objektivin tonë të inflacion.

PASOJAT

Referuar INSTAT, aktiviteti ekonomik në vend u tkurr me 3.3% gjatë vitit 2020, ekonomia shqiptare humbi rreth 43,000 vende pune, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%. Po ashtu, ritmi i rritjes së pagave dhe të kostove të tjera të prodhimit erdhi në ngadalësim. Lidhur me situatën përgjatë 3 mujorit të parë të këtij viti, Sejko tha se të dhënat e deritanishme sinjalizojnë vijimin e gjallërimit të ekonomisë, sikundër ilustrohet nga përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë, i llogarive fiskale dhe i flukseve tregtare. “Megjithatë, edhe pse në rritje, kërkesa agregate mbetet ende poshtë niveleve të regjistruara në periudhën përpara pandemisë dhe e pamjaftueshme për të vënë në shfrytëzim të plotë faktorët e prodhimit”.

MASAT

Me rëndësi është edhe roli që Banka e Shqipërisë luajti duke ofruar stimulin e nevojshëm monetar, për të garantuar funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të nxitur më tej kreditimin e ekonomisë. Po ashtu, lehtësimi i përkohshëm dhe i targetuar i mbikëqyrjes së rregulloreve të funksionimit të sektorit bankar ofroi lehtësi të mëtejshme për bizneset dhe familjet shqiptare, në formën e moratoriumit gjashtëmujor të kësteve të kredisë dhe në formën e nxitjes së ristrukturimit të saj.

“Stimujt monetarë e financiarë kanë pasur një transmetim të mirë. Për rrjedhojë, kushtet monetare në ekonomi kanë qenë dhe vijojnë të mbeten akomoduese. Tregjet financiare operojnë të qeta dhe normat e interesit vijojnë të jenë pranë minimumeve historike, pavarësisht luhatjeve afatshkurtra. Po ashtu, kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm. Në veçanti, sektori bankar ka vijuar të financojë bizneset dhe familjet, duke pasqyruar si shëndetin e bilanceve të sektorit bankar ashtu dhe reagimin e duhur të tij ndaj goditjes. Në muajin mars 2021, treguesi i kredive me probleme zbriti nën nivelin 8%, duke regjistruar vlerën më të ulët të regjistruar prej vitit 2009”, tha më tej Sejko. Sipas tij, vijimi i procesit të vaksinimit në vend dhe në botë, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim.

“Skenari bazë i parashikimeve projekton një rimëkëmbje me ritme të qëndrueshme të ekonomisë gjatë viteve 2021 dhe 2022, pas kontraktimit të përjetuar në vitin 2020. Zgjerimi i aktivitetit pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i konsumit familjar, i eksportit të mallrave e të shërbimeve, si dhe nga investimet private në rritje. Në përgjigje të tyre, punësimi dhe pagat pritet të vijnë po ashtu në rritje, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022”. Nisur nga kjo situatë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi një ditë më parë të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5% si edhe të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat