Kongresi i jashtëzakonshëm i PS, Pëllumbi për rikthimin e Fatos Nanos: Kurrë mos thuaj kurrë

Shqipëria

Kongresi i jashtëzakonshëm i PS, Pëllumbi për rikthimin e Fatos Nanos: Kurrë mos thuaj kurrë

Më: 15 maj 2021 Në ora: 16:30
Arben Pëllumbi

Në 30 vjetorin e PS, Edi Rama do të mbledhë Kongresin për të bërë një analizë të performancës, si dhe për të zgjedhur forumet e reja të partisë. Ata që kanë dalë mirë në 25 prill do të shpërblehen me detyra të reja, ndërsa të tjerët që nuk e përmbushen misionin e tyre do të duhet të largohen nga strukturat drejtuese.

Me 12 qershor, Edi Rama pritet të tregojë forcën e mandatit të tretë para socialistëve të vjetër dhe të rinj në mbledhjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm. Sekretari organizativ i PS, Arben Pëllumbi në një intervistë për RTV ORA tregon që strukturat e selisë rozë pritet të pësojnë ndryshime.

"Të tërë këtë gjë ne dëshirojmë ta konkludojmë dhe ta përmbyllim me  mbledhjen e forumit më të lartë të Partisë Socialiste që është Kongresi në një datë të shënuar siç është 30 vjetori i Partisë Socialiste. Zgjedhja e Asamblesë së Re por edhe zgjedhja e Kryesisë së Re që vjen drejtpërdrejt nga kjo Asamble," tha Pëllumbi.

Rezultatet individuale të zgjedhjeve të 25 prillit, si ato pozitive ashtu edhe negativet do të luajnë rol të rëndësishëm në marrjen e detyrave të reja të partisë.

"Kemi që kanë performuar në mënyrë të shkëlqyer, kemi të tjerë që nuk i kanë arritur objektivat nominale që ne kishim vendosur kështu që besoj që të gjitha këto do të reflektohen edhe në organet e reja drejtuese. Besoj se të gjithë ata që kanë punuar më mirë, sigurisht do të propozohen," tha ai.

Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Ditmir Bushati nuk do të jetën pjesë e kryesisë së re, por për Pëllumbin kjo është një rrjedhje e domosdoshme e rinovimit të PS.

"Sa herë flasim për largim figurash të cilat kanë dhënë kontribute të rëndësishme në PS, bëhet me një lloj brenge, por kështu ndodh. Parti gjithmonë ka nevojë të rinovohet," shtoi ai.

Sekretari organizativ nuk përjashton rikthimin e figurave të vjetra në PS, siç është emri i Fatos Nanos.

"Në politikë ka një shprehje që thotë "Kurrë mos thuaj kurrë," tha Pëllumbi.

Pas ristrukturimit të forumeve të partisë, Edi Rama do të duhet të mendojë edhe për ndryshimet në qeveri. Ende nuk dihet nëse do të ketë figura të reja, por Pëllumbi e ka një këshillë për kryetarin e tij.

"Dëshirohet që në përfaqësimin ekzekutiv të ketë sa më shumë figura politike të cilët garuan dhe u votëbesuan por është kryeministri ai i cili vendos balancat," tha Pëllumbi.

Kryesocialisti Edi Rama ende nuk ka zgjedhur mes mandatit të Vlorës dhe Durrësit, pasi për këtë të fundit, LSI ka kërkuar edhe rinumërim të votave për t’i marrë PS mandatin e 8.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat