Çfarë pritet në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS më 12 qershor?

Shqipëria

Çfarë pritet në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS më 12 qershor?

Më: 15 maj 2021 Në ora: 18:29
Foto ilustrim

Një ndryshim të strukturave, një formatim të ri. Kjo është ajo që pritet nga Kongresi i jashtëzakonshëm i PS që do të mbahet më 12 qershor. Kështu deklaroi në “Kjo Javë” në News24 Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali. Ajo tha se pas fitores, PS nuk mund të rrijë në vend.

“Një ndryshim të strukturave, një formatim të ri. Është partia më e vjetër më e re që mund të gjendet. E dimë se nuk mund të rrimë në vend pas fitores, duhet t’u ofrojmë qytetarëve një parti më të hapur. Të jemi të përgatitur për zgjedhjet lokale dhe qeverisja që është një betejë e vazhdueshme për të përmirësuar shërbimet”, tha Spiropali.

E pyetur nëse e sheh veten në kabinetin e ri qeveritar, ajo tha se është nder për të që është zgjedhur deputete dhe se vendimi i takon kryeministrit.

“Unë jam në kabinet, nder i madh që jam zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë. Do bëj detyrën time. Është totalisht në diskrecionin e kryeministrit të zgjedhë kabinetin. Rezultati zgjedhor është i certifikuar dhe nga opozita, PD e cila ka pranuar mandatet e dala nga këto zgjedhje do të marrë pjesë në Kuvend. Haleluja”, deklaroi ajo.

Sa i përket vendimit të KAS për rinumërimin e votave në disa Qendra Votimi në Berat, ajo tha se fitorja e PS është e pastër dhe e kristaltë.
“Nuk kam asnjë koment, ajo është detyra e KAS. Nuk kemi ne asnjë arsye të ndërhyjmë në punët e një institucioni që e kemi votuar për të bërë detyrën. Fitorja e PS është e pastër, e pandikuar, e kristaltë siç ka dalë rezultati”, deklaroi Spiropali.

Lidhur me diskutimin për përsëritjen e zgjedhjeve lokale, ajo tha se zgjedhjet janë kryer dhe se sherrnaja politike nuk mund të lërë pa bërë punët nga pushteti lokal.
“Nuk është debat për ne. Zgjedhjet janë kryer në 2019, pavarësisht ndërhyrjes brutale të Presidentit të Republikës. Zgjedhjet janë, kryetarët e bashkive janë në punë. Nuk kemi ndërmend që për shkak të sherrnajës politike të lëmë pa bërë punët që bën pushteti lokal. Ne jemi të gatshëm në çdo kohë që të përgjigjemi”, u shpreh ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat