Duan shkarkimin si kryetar partie? Basha i përgjigjet Nishanit: Në shtëpinë tonë shumë shpejt...

Shqipëria

Duan shkarkimin si kryetar partie? Basha i përgjigjet Nishanit: Në shtëpinë tonë shumë shpejt...

Më: 16 maj 2021 Në ora: 15:15
Basha dhe Nishani

Kryedemokrati Lulzim Basha po përballet me kërkesat brenda radhëve të demokratëve për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë, duke e cilësuar si shkaktar i humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Pavarësisht këtyre thirrjeve, Basha ka refuzuar të japë dorëheqjen duke paralajmëruar zhvillimin e një gare brenda PD-së, çka nënkupton dhe rikandidimin e tij, në zgjedhjet e pritshme partiake të korrikut.

Këtë e la të nënkuptonte, Basha në takimin e sotëm të zhvilluar në Elbasan me mbështetësit e tij.

“Së fundmi, diçka sa i përket zhvillimeve brenda familjes tonë. Duan s’duan kundërshtarët tanë, ne jemi një familje e madhe politike, e bashkuar jo nga interesat, as nga krimet e paraardhësve, as nga mëkatet me krimin e organizuar, as nga pazaret me oligarkët, por nga idealet me të cilat lindëm, idealet të cilat na kanë udhëhequr në rrugën tonë, jo pa gabime, jo pa të meta, jo pa probleme, por që ka për të mundur sa herë që kemi pasur fatet e vendit në dorë që ta çojmë një hap përpara Shqipërinë.  Në këtë shtëpi të madhe nuk ka të tepërt, ndaj çdo mendim, ide, kritikë konstruktive duhet të jetë e mirëpritur. Dhe kjo shtëpi e madhe ka një rregull të vërtetë dhe unik në aplikimin e tij, pushteti buron nga anëtarët e Partisë Demokratike, jeni ju ata që vendosni në votë përfaqësuesit tuaj dhe drejtuesit tuaj. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë shumë shpejt”, deklaroi Basha.

Figura të njohura si Bujar Nishani, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri kanë kërkuar largimin e Bashës, duke e bërë si përgjegjës për humbjen në zgjedhje. Ndërsa Fatbardh Kadilli, është jashtë këtij “Grupi për PD”, i cili ka shpallur edhe synimin për të qenë kryetari i PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat