Ne plazhet e Lezhës nevojiten 200 vrojtues, shoqata: Pronaret nuk interesohen e paguajnë pak

Shqipëria

Ne plazhet e Lezhës nevojiten 200 vrojtues, shoqata: Pronaret nuk interesohen e paguajnë pak

Më: 16 maj 2021 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

Ende pa filluar mirë sezoni, operatorët turistikë në Lezhë do ta kenë të vështirë të përmbushin detyrimin ligjor për sigurinë në plazhe.

Nënshkrimi i kontratës për stacione plazhi mes subjekteve turistike në Lezhë dhe bashkisë ka si pikë të parë pasjen e një kontrate me vrojtues plazhi. Ky është një shqetësim pasi numri I tyre është shumë I vogël ndërsa kërkesa shumë e madhe.

Për këtë sezon janë certifikuar rreth 60 vrojtues, vetëm 1 e 4 e nevojës. Përfaqësuesi i shoqatës së vrojtuesve, Luçiano Marku thotë se ky profesion nuk vlerësohet nga të rinjtë, pasi pronarët e plazheve abuzojnë.

“Duke qenë se Lezha ka vijë bregdetare prej 26 km duhen rreth 200 vrojtues plazhi. I bëjmë thirrje pronarëve të trajnojnë vrojtues. Ka mosinteresim të pronarëve, se një pjesë e pronarëve nuk I lejojnë të kryejnë vetëm punën e vrojtuesit po I ngarkojnë dhe më punë të tjera. Problem është dhe rroga që nuk është e mjaftueshëm për punë që kryejnë.”

Në këto kushte është e nevojshme të rriten kontrollet. Sipas përfaqësuesit të vrojtuesve të plazhit shumë subjekte kanë nënshkruar në mënyrë fiktive kontrata me vrojtues plazhi. Në kullat e tyre të vrojtimit nuk shihet askush.

“Duke qenë se ka një vendim të këshillit të ministrave që detyron çdo stacion plazhi të punësojë një vrojtues. Ndaj pushteti qendror duhet të ushtrojë më shumë kontrolle në vijnë bregdetare dhe të shohë sa për qind e pronarëve të subjekteve private e kanë punësuar vrojtuesin e plazhit.”

Që këta pronarë të mos shpenzojnë shumë para dhe plazhet të mbeten pa vrojtues të cilët sigurojnë jetën e pushuesve, Marku ka një sugjerim.

“Ka raste që një subjekt nuk plotëson hapësirën 1 vrojtues për 80 metër linear mund të bashkohen 2 ose 3 pronarë dhe të punësojnë një vrojtues plazhi.”

Dritan Kondakçiu, administrator i një hoteli thotë se të rinjtë hezitojnë të punësohen vetëm për 3 muaj. Ai është detyruar të paguajë vrojtuesin e plazhit për gjithë vitin.

“E vetmja zgjidhje që kam bërë është të paguar për 12 muaj një vrojtues plazhi që më duhet vetëm për 3 muaj.”

Ndërsa sipërmarrësi Arben Lekaj, thotë që i biri të mos ngelej papunë dhe plazhi pa vrojtues investoi në trajnimin e tij.

“E mira është ti kemi të gjithë. Unë e kam zgjidhur djali im ka mbaruar kursin. Për 20 metrat e mia përgjigjem vetë.”

Siguria në plazhe duket se dhe këtë vit do të jetë problem ndaj pushuesit duhet të jenë më të vëmendshëm, pasi në pak plazhe do të jetë persona të kualifikuar që mund të ndërhyjnë për të shpëtuar jetë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat