Krimet zgjedhore dhe pastrimi i parave, kryeprokurori Çela: Shumë shpejt do kemi rezultate, hetim i plotë e i shpejtë

Shqipëria

Krimet zgjedhore dhe pastrimi i parave, kryeprokurori Çela: Shumë shpejt do kemi rezultate, hetim i plotë e i shpejtë

Më: 17 maj 2021 Në ora: 12:14
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka zhvilluar sot një takim në Prokurorinë e Fierit, prej ku ka diskutuar për dy çështje kryesore, hetimin e krimeve zgjedhore dhe hetimet pasurore.

Duke folur për media, kryeprokurori Çela tha se prokurorët duhet të hetojnë shpejt dhe në mënyrë të plotë të gjitha krimet zgjedhore.

“Qëllimi i vizitës lidhet me situatën e hetimit të krimeve zgjedhore nga Prokuroria e Fierit. Janë disa takime që po bëhen në lidhje me krimet zgjedhore. Është e rëndësishme që të tregohet kujdes maksimal nga prokurorët për hetimin e plotë e të shpejtë, si dhe për të treguar transparencë.

Arsyeja e dytë ka të bëjë më hetimet pasurore dhe evazionin fiskal, funksionimi i një seksioni të posaçëm që Prokuroria e Fierit ka për pastrimin e produkteve të veprës penale dhe evazionit fiskal, për rritje të efikasitetit për evazionin dhe ligjin anti-mafia. Janë të rëndësishme rezultatet në këtë drejtim, pasi ka shumë kërkesa nga ndërkombëtarët për luftën ndaj pastrimit të parave, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha kryeprokurori.

I pyetur nëse ka pasur kërkesa për krime zgjedhore në Prokurorinë e Fierit, Olsian Çela deklaroi se “Ka pasur një numër çështjesh të hetuara, apo që është marrë tashmë një hetim. Shumë shpejt do të kemi rezultate, që do të bëhen të ditura. Është e rëndësishme që të tregohet transparencë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat