Tirana në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, me anketa dhe tubime proteste

Shqipëria

Tirana në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, me anketa dhe tubime proteste

Më: 17 maj 2021 Në ora: 18:33
Tiranë

Veprimtarët e të drejtave njerëzore dhe anëtarë të shoqatave LGBTI zhvilluan sot në Tiranë tubimin e tyre periodik në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, duke shpalosur në mënyrë simbolike flamurin shumëngjyrësh, simbol i lëvizjes së tyre botërore.

Ky është viti i gjashtë kur veprimtarët organizuan këtë tubim, edhe pse për shkak të kufizimeve të pandemisë marshimi i krenarisë nuk mund të mbahej.

Veprimtarët po krijojnë vit pas viti një traditë periodike për të mbrojtur dhe promovuar të respektimin e të drejtave të personave lesbikë, gej, biseksualë, transgjinorë etj.

Shqipëria miratoi 11 vjet më parë ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi të personave LGBTI, por sot ata vazhdojnë të përballen me dhunë, përjashtime e veçime si dhe krime të urrejtjes në familje dhe në komunitetet ku jetojnë.

Një në 3 persona LGBTI është viktimë e dhunës fizike në familje. Veprimtarët pohuan se personat LGBTI në Shqipëri janë prej vitesh në mëshirë të fatit dhe të pambrojtur nga ligjet, politikat dhe instituconet, të cilat nuk punojnë sa duhet për respektimin e të drejtave të tyre.

“Gjendja është e rëndë dhe diskriminimi vazhdon. Shqipëria ende vazhdon të privojë personat LGBTI nga të drejtat e barabarta, të dhunojë, urrejë dhe harrojë tërësisht ata. Personat LGBTI nuk kërkojnë asgjë më shumë, sesa të jetojnë me dinjitet dhe të respektuar si gjithë të tjerët” - tha Presidenti i Ambasadës PINK, Altin Hazizaj.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare u publikua një Raport 10- vjeçar mbi shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj personave LGBTI, ku Shqipëria renditet e para në rajon për diskriminimin dhe refuzimin e tyre, dhe si një prej vendeve më homofobe të Ballkanit.

Raporti i fundit thekson se gjendja sociale ekonomike e personave LGBTI është tepër e rëndë dhe në shkelje të plotë të gjithë standarteve ndërkombëtare.

Po ashtu qeverisja qendrore dhe vendore cilësohen si të pafuqishëm për të garantuar të drejta të barabarta për personat LGBTI si të gjithë qytetarët e tjerë.

Gjendja u rëndua edhe më shumë gjatë pandemisë, kur jeta e tyre u rrezikua për shkak të mungesës të të ardhurave, ndërsa qeveria nuk miratoi asnjë mbështetje të veçantë për ushqimin apo strehimin e tyre.

Veprimtarët citojnë edhe një studim të Bankës Botërore, që e renditi Shqipërinë në vendin e parë në rajon, që nuk pranon personat LGBTI, i diskriminon ata në shërbimet shëndetësore etj, dhe ku shoqëria mban ndaj tyre qëndrim negativ ndër më ekstremet në Europë.

Pjesa dërrmuese e prindërve shqiptarë të anketuar, (afro 95%), dhe pjesa më e madhe e mësuesve (rreth 70 %), nuk e përkrahin fëmijën e vet sapo ta zbulonin se ai është pjesë e LGBTI.

Afro 66% e mësuesve shqiptarë heshtin përballë bulizmit në shkolla me bazë homofobinë, ndërsa 25 % e punonjësve të administratës shtetërire pohojnë se personat LGBTI duhet të kenë shërbime veç personave të tjerë.

Sondazhet gjetën që më shumë se gjysma e shqiptaëve (53 %) besojnë se "homoseksualët dhe lezbiket nuk duhen lënë të lirë të jetojnë ashtu si duan”, ndërsa një e treta e të anketuarve (30 %) nuk pajtohen aspak me marrëdhëniet brenda të njëjtës gjini, çka e rendit Shqipërinë midis vendeve më homofobe në rajon./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat