Meta i përgjigjet Komisionit Hetimor: Kërkesa nuk referon asnjë dispozitë kushtetuese, mënjanohuni nga urdhrat politik

Shqipëria

Meta i përgjigjet Komisionit Hetimor: Kërkesa nuk referon asnjë dispozitë kushtetuese, mënjanohuni nga urdhrat politik

Më: 18 maj 2021 Në ora: 12:05
Ilir Meta

Presidenti, Ilir Meta, i ka kthyer përgjigje Kuvendit lidhur me ftesën për t’u paraqitur sot në seancën dëgjimore të Komisionit Hetimor Parlamentar.

Në përgjigjen e tij, Kreu i Shtetit thekson se kjo kërkesë, në përmbajtje të saj, nuk referon asnjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore për bazueshmërinë e saj.

Sipas tij, kjo nismë është një formë hakmarrjeje, ndërsa shton se Presidenti do të mbetet i vetmi që nuk do të frikësohet dhe i vetmi që “nuk e keni detyruar dot që të shkelë kushtetutën.”

Presidenti i Republikës thotë se e ka përmbushur dhe do të vijojë ta përmbushë detyrimin kushtetues për të qenë transparent në raport me popullin shqiptar, pasi çdo akt, vendimmarrje, dekret etj., i ka bërë publike në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës dhe në mjetet e informimit publik.

Meta nënvizon se Komision Hetimor, është ngritur në shkelje të Kushtetutës, ligjit, dhe Rregullores së Kuvendit, si produkt i një veprimtarie të tërë parlamentare fiktive, duke krijuar një strukturë hetimore që nuk ka tashmë as legjitimitet për të vepruar.

Kreu i shtetit kujton se Kuvendi tashmë pas zgjedhjeve të zhvilluara më 25 prill 2021, ndodhet në një periudhë tranzitore, që i duhet të qëndrojë në detyrë si një detyrim kushtetues, por nuk ka as kohë dhe as legjitimitet të ndërmarrë iniciativa për asnjë lloj veprimtarie hetimore, ndaj askujt, dhe për asnjë arsye.

Me këtë përgjigje i ka njohur anëtarët e komisionit hetimor dhe kryetari Alket Hyseni.

Ai tha se do ti japin mundësi presidentit të zgjedhë ditën kur është i gatshëm për të shkuar në Komision duke filluar nga nesër dhe deri të hënën.

"Do t'ia japim mundësinë Presidentit të dëgjohet.Nga nesër deri ditën e hënë jemi gati ta dëgjojmë. Presidenti të zgjedhë ditën kur do të vijë në Komision".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat