U zhvarrosën si ushtarë grekë dhe u çuan në Greqi në 2006, kthehen pas 15 vitesh trupat e 108 banorëve të fshatit Kosinë të Përmetit

Shqipëria

U zhvarrosën si ushtarë grekë dhe u çuan në Greqi në 2006, kthehen pas 15 vitesh trupat e 108 banorëve të fshatit Kosinë të Përmetit

Më: 18 maj 2021 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Trupat e 108 banorëve të fshatit Kosinë të Përmetit janë rivarrosur sot në tokën shqiptare pas 15 vitesh që ishin zhvarrosur dhe çuar në Greqi pasi dyshoheshin si trupa të ushtarëve grekë.

Përmes një ceremonie pa praninë e mediave, sot trupat e zhvarrosur në vitin 2006 janë rikthyer në Përmet ku edhe janë rivarrosur.

Pas analizave të ADN që janë kryer në Greqi, ka dalë se rreth 108 trupat e zhvarrosur ilegalisht nuk kanë qenë ushtarë grekë të rënë në Shqipëri, por banorë të fshatit Kosinë të Përmetit, gra dhe fëmijë.

Kur trupat e tyre u zhvarrosën në Kishën e Shën Mërisë, në fshatin Kosinë, pati reagime të shumta dhe u trajtua si skandal pasi, trupat u zhvarrosën në mënyrë të paligjshme dhe për një shpërblim prej 100 eurosh. 6 persona u morën në pyetje në atë kohë, ndërsa prifti i Kishës refuzoi.

Sot, në fshatin Kosinë kanë qenë Konsulli grek në Gjirokastër, Drejtoresha e Prefekturave të Shqipërisë, Prefekti i Gjirokastrës, Kryetarja e Bashkisë dhe zyrtarë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes.

Sipas burimeve zyrtare, trupat quhen ende të paidentifikuar. Tashmë duhet bërë ADN nga vetë banorët për identifikimin e tyre. E gjithë kjo u krye në kuadër të marrëveshjes dypalëshe Shqipëri – Greqi për kërkimin e eshtrave të ushtarëve grekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat