Kuvendi shkarkon Metën me 104 vota pro, Presidenti në dorë të Gjykatës Kushtetuese

Shqipëria

Kuvendi shkarkon Metën me 104 vota pro, Presidenti në dorë të Gjykatës Kushtetuese

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 10:50
Ilir Meta, Kuvendi i Shqipërisë

(E plotësuar 16:35) - Në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët kanë votuar në favor të shkarkimit të presidentit, Ilir Meta me 104 vota, duke thënë se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.

Pas një debati që zgjati rreth katër orë, kuvendi fillimisht votoi raportin nga Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta me 104 vota për, shtatë kundër, dy abstenim dhe një fletëvotimi ishte i pavlefshëm.

Zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi ka reaguar përmes një postimi në Facebook ku tha se Meta nuk është i shqetësuar nga “vendimi antikushtetues dhe qesharak i landfillit parlamentar monist”.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre, që punojnë prej vitesh kundër vendit tonë, shqiptarëve dhe interesit kombëtar”, shkroi Blushi.

Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën këtë Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentit.

Iniciativa për shkarkim, sipas Kushtetutës, duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij ose 94 deputetë.

Më pas, Kushtetuta parasheh që vendimi i kuvendit t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila deklaron shkarkimin e presidentit kur vërteton fajësinë e tij, apo shkeljet kushtetuese që i ka nxjerrë raporti dhe kuvendi i ka votuar.

Rama: Meta ka turpëruar popullin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste që ka nisur iniciativën për shkarkimin e presidentit, gjatë seancës tha se Meta ka shkelur kompetencat e tij si president i vendit dhe se kuvendi sot do të votojë shkarkimin e tij.

“Meta ka tradhtuar misionin e presidentit, ka turpëruar popullin shqiptar në marrëdhënie me SHBA-në, ka zhgarravtur fytyrën e Shqipërisë në marrëdhënie me përfaqësuesit e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Meta i ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë për t’u kthyer në binarët e arsyes ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, prandaj ky parlament sot do të ushtrojë vullnetin e më shumë se 90 për qind të qytetarëve. Meta ka mbaruar punë dhe fjalët për të si president kanë mbaruar, tani të flasë parlamenti me vote”, tha kryeministri Rama.

Komisioni Hetimor parlamentar i ngritur për të hetuar veprimtarinë e presidentit, Ilir Meta gjatë zgjedhjeve të 25 prillit i ka konsideruar “shkelje të rënda” qëndrimet dhe deklaratat e shprehura prej tij.

Në këtë raport, ndër tjerash thuhet se “presidenti shkeli 17 nene të Kushtetutës” dhe se “këto shkelje konsiderohen nga Komisioni si shkelje të rënda”.

Kreu i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, Alket Hyseni prezantoi para kuvendit raportin e këtij komisioni, duke thënë se kanë arritur në përfundim se Meta ka kryer shkelje të rënda dhe aktet e tij bien ndesh me nene të Kushtetutës dhe se presidenti ka shkaktuar dëm të madh për vendin dhe raportin me aleatët.

“Komisioni ushtroi veprimtarinë bazuar në funksionimin e procedurave dhe vendosi miratimin e raportit përfundimtar të hetimit, që paraqet gjetje të përcaktuara dhe në kërkesën e 49 deputetëve për shkarkimin e presidentit, Komisioni u bazua në fakte dhe rrethana të cilat janë shënuar edhe në raport. Presidenti me veprimet e tij ka shkelur shumë nene të Kushtetutës, të cilat konsiderohen si shkelje të rënda. Sjelljet e presidentit kanë pasur një ndikim shumë të keq në opinionin publik dhe në politikë”, tha Hyseni.

Ndërkohë, Partia Socialiste, e cila fitoi zgjedhjet në Shqipëri për herë të tretë, ka nisur një proces me të cilin pretendon ta shkarkojë presidentin duke thënë se ai ka shkelur Kushtetutën me gjuhën e përdorur në deklaratat e tij para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore.

Deputetët socialistë kanë thënë se presidenti Meta ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë dhe se “me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë”.

Kreu i shtetit, Ilir Meta nuk është paraqitur në asnjë prej seancave, pavarësisht thirrjeve që iu bën nga Komisioni Hetimor dhe nga deputetët e PS-së.

Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022.

Ndërkohë, teksa kuvendi diskuton shkeljet e tij të Kushtetutës, Meta ka postuar në faqen e tij në Facebook një aktivitet kulturor me Ansamblin Folklorik të Dibrës teksa ky ansambël po vallëzonte vallen tradicionale.

Përfundimisht, vendimi i kuvendit për shkarkimin e Metës nga posti i presidentit do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, që është pjesë kyçe e procesit të shkarkimit të presidentit, pas një krize të gjatë mosfunksionimi, ka filluar punën në janar të këtij viti, ndonëse ende nuk është e kompletuar plotësisht.

Gjatë tërë tranzicionit të saj demokratik, Shqipëria është përshkruar nga polarizimi politik që shpesh ka minuar reformat e përgjithshme dhe ka nënvlerësuar ambicien e Shqipërisë për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian.

Në rast të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese, presidenti Meta do të bëhet presidenti i parë i shkarkuar i Shqipërisë në epokën 30-vjeçare që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin 50-vjeçar dhe i hapi rrugë tranzicionit demokratik.

***

Me 104 vota pro dhe 7 kundër, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar raportin me gjetjet e shkeljeve të presidentit Ilir Meta nga Komisioni Hetimor. Kreu i Kuvendit  Gramoz Ruçi tha se dy vota kanë qenë abstenim ndërsa një është shpallur e pavlefshme.

“Projektvendim për miratimin e raportit përfundimtar për hetimin e shkeljeve të rënda nga presidenti i republikës.  Pro kanë votuar 104 deputetë, 7 kanë votuar kundër, 2 kanë abstenuar, 1 e pavlefshme. Miratohet raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor. Do të kalojmë në votimin nominal”, u shpreh ai.

Gazetarja Esiona Konomi ka mësuar edhe emrat e deputetëve që kanë votuar kundër raportit të Komisionit Hetimor.

Elda hoti

Adriatik Alimadhi

Artur rroshi

Suzana Topi

Lefter Maliqi

Gjetan Gjetani

Fatjona Dhimitri.

***

Miratohet raporti i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

104 deputë pro

7 kundër

2 abstenim

1 e pavlefshme

 

Murrizi pro shkarkimit të Metës: Biden andej, drejtësia e re këtej, s’jam për burg se kanë kosto të madhe

Deputeti Myslim Murrizi deklaroi votën pro shkarkimit të presidentit Ilir Meta. Në foltoren e Kuvendit, ai komentoi urdhrin e presidentit amerikan Joe Biden për të bllokuar pasuritë e zyrtarëve të korruptuar në Ballkan. Murrizi u shpreh se shumë shpejt edhe BE do të bëjë një doganë të tillë për politikanët e korruptuar ndërsa me ironi tha se shpreson t’i shohë me kosë duke prerë bar pasi sipas tij nëse do futen në burg kanë kosto shumë të lartë.

“Nuk desha të merrem me atë që kanë referuar ekspertët. Në bindjen time akti i parlamentit është politik dhe moral. Ne nuk jemi parlamenti i qoftëlargut por formalisht demokratik. Nuk di pse kanë frikë të thonë që moralisht presidenti ka dalë nga binarët,. Nuk është më ai i sanksionuar në Kushtetutë. Që ditën kur u zgjodh ishte përfaqësues i maxhorancës së atëhershme. Pas tre ditësh keni ditën e emrit, Bastisjen apo kumbarllëkun.

 Fiks 30 vite më parë ndryshuar emrin nga PPSH në PSSH. Atëherë 85% e juaja nuk ishte në parti. Ishte Meta me të tjerë në pagëzimin e PSSH. Deri në 2004 ka qenë me ju dhe ishte armik me ata që sot e quajnë shpëtimtar të këtij vendi. E akuzuan si vrasës, si njeriu që dha urdhër për të arrestuar Berishën, e akuzuan si hajdut kur humbi floririn në Krrabë. Ju e mbronit. Çfarë ndodhi. Thonit Ilir Meta jep dorëheqjen. Ai thotë e kam dhënë njëherë.  A kanë turp, a kanë surrat. Kur e votojnë këta që unë e përmenda më parë. Unë e pas 30 vite kundërshtar politik. Nuk kam qenë në qeveri me të. A e shkarkoni ju?

Jam kënaq mbrëmë me urdhrin e Biden edhe pse nuk kam qenë tifoz me të. Nëse I plas nja dy urdhra të tjerë kanë për të më bërë tifoz me zor. Akti i Kuvendit do jetë lemonadë para ngjarjes së ndodhur në këtë vend. Kur t’i shohësh në hotele dhe motele që kanë në New York. Dashtë zoti t’i shohim me kosë bari në dorë. Nuk jam për burg se kanë kosto të madhe. Biden andej, drejtësia e re këtij, Mllefi dhe inati., Zoti jua shtoftë inati mes njëri tjetrit. Meta nuk besoj se do jetë I fundit I shpallur tradhtar. Halli i madh se ngelka një rob pa punë.

Ka 2 mln shqiptar që kanë ngelur pa punë dhe kanë ikur. Askush tjetër në 4000 burra në politikë nuk kanë arritur atë që ka arritur ky. As Berisha, as Rama, as Nano. I ka arritur të gjitha. Sot dhëntë zoti, e keni seriozisht Taulant. Shoh këto ditët e fundit që hyjnë e dalin disa që presin dekretet në shtator për ministër edhe I thonë si i bëhet me votën. Sa shumë mendojnë se do jenë të dekretuar për ministra. Këta të ndërmarrjes dhe aspiruesit e dekretit imagjinar a do e votojnë apo jo? Ka pallavra që ky kuvend është apo jo legjitim.

Le ta gjykojnë shqiptarët pas shtatorit dhe tetorit kur ngjarje të tjera të ndodhin. Besoj se shpejt edhe BE ka për të bërë një doganë të tillë. Po ra zjarr pas TEG-ut aroma e eurove të djegura do shkojë deri në Koplik. Habitem shumë me disa deklarata që sot bëjnë parimorin. Unë uroj që votimi dhe drejtësia e re të bëjnë atë që Amerika po e inicion që do ketë akoma të tjerë, si kamxhik për drejtësinë shqiptare. Uroj dhe shpresoj që shumë shpejt që kjo që sot që quhet si përmbysje bote që po ikën Meta, të duket si lemonadë në krahasim me atë që do të ndodhë më pas”, u shpreh ai.

Habit Jenishehri: Unë dhe Kujtim Gjuzi do i dalim për zot nipërve dhe mbesave pensionistë

 

Deputeti Selami Jenishehri nxori një tjetër tezë për të mbështetur shkarkimin e presidentit duke deklaruar se ai shkeli kushtetutën duke mos shtyrë zgjedhjet. Jenishehri tha se Meta u mohoi të drejtën e votës emigrantëve. Ai bëri edhe një gafë të radhës kur tha se bashkë me Kujtim Gjuzin do u dalin për Zot “nipërve dhe mbesave pensionistë”.

“Sipas meje ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës si garant i saj që është. Presidenti në fund të prillit 2021 është vënë në dijeni nga unë se nga ana e KQZ nuk është kryer detyrimi ligjor për zbatimin e kodit zgjedhor se nuk mund të votojnë 1 milion e 700 mijë emigrantë. Presidenti duhet të firmoste dekretin e shtyrjes së zgjedhjeve duke mos qenë kështu garant i kushtetutës. Presidenti me dashje e ka lejuar KQZ të gabojë në zbatim të kodit zgjedhor. 

 Presidenti u ka mohuar të drejtën për të votuar emigrantëve. Koalicioni i Kujtim Gjuzit i është drejtuar KQZ për të mos sjellë pasoja të tilla dhe është anashkaluar. Ne do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese, ne koalicioni jonë me drejtuesin tonë Kujtim Gjuzi.

Do i dalim zot nipave dhe mbesave tona pensionistë që u është mohuar e drejta për të votuar. Emigrantët janë bijtë tanë dhe nuk i kemi lënë të votojnë duke u mohuar të drejtën kushtetuese. Pensionistëve u është blerë vota. Janë baballarët tanë që na ka pru në këtë botë. Kanë punuar në kazëm dhe kanë katërdhjetë mijë lekë pension”, tha ai. 

***

Teksa sot do të votohet shkarkimi i presidentit Ilir Meta, Elisa Spiropali ka renditur sipas saj shkeljet e kreut të shtetit.

Nga foltorja e Kuvendit, Spiropali u shpreh  se Meta nuk bëri lapsuse, por nuk la gabim pa bërë. Ministrja tha se sot do të votojnë për zbritjen e tij nga karrigia e lartë shtetërore, duke theksuar se Presidenti ka dhunuar parimin e asnjeanësisë.

“Presidenti nuk bëri nja dy a tre ofendime, shitje a lajthitje. As nuk hëngri dhe bëri thërrime, apo punoi dhe bëri gabime. Po të ishin lapsuse askush nuk do ia vinte re. Nuk la gabim pa bërë. Rasti nuk është i zakonshëm, problemi i presidenti është i rëndë, ndoshta klinik dhe me pasoja. Që mund të ndreqet vetëm me masa ligjore. Kemi arsye të mjaftueshme. Faktet dhe provat për veprimet dhe sjelljet e tij, na i ka dhënë vetë presidenti. Nuk kanë të numëruar, bëmat, gjërat, ulërimat,  klithmat e presidentit tonë. Presidenti u ka fyer shqiptarëve inteligjencën. Është autor i mesazhe që frymëzonte daljen në rrugë të militantëve.

Mesazhet denigruese ndaj diplomatëve të huaj si njerëz të shitur dhe të blerë, duke na rrezikuar marrëdhëniet me partnerët është tjetër veprim me pasoja të rënda. Detyroi ambasadoren ti drejtohet hapur për ti këshilluar vetëpërmbajtje. Është vetëshpallur përfaqësues i një pjesë të popullit. Presidenti ka dëmtuar autoritetin kushtetues të kreut të shtetit. Presidenti ka dhunuar parimin e asnjëanësisë. duke refuzuar anëtarë të sistemit gjyqësore, duke mos emëruar funksionarë shtetërorë. Me ndërgjegje të plotë kë dëmtuar rëndë marrëdhëniet institucionale. Me sjelljen e tij të çekuilibruar, gjuhën e padenjë.

Presidenti ka shkelur një numër herësh të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ka denigruar qeverinë dhe opozitën parlamentare, duke përhapur akuza të rreme për ndërhyrje në punët e brendshme. Presidenti ka ndërmarrë sulme publike kundër ambasadës së SHBA. Ka mbajtur qëndrime publike ofensive edhe kundër përfaqësuesve të tjerë të huaj duke i akuzuar si të korruptuar. Presidenti ka përdorur vetë dhe u ka sugjeruar të tjerëve retorikën e dhunës. Presidenti ynë kupën nuk e ka mbushur, e ka derdhur.

Me këtë apo në këtë mënyrë me ceremoni apo duke i hequr zvarrë shqiptarët i kanë hequr qafet. Nuk jemi mbledhur që presidenti ta shajmë dhe ta pushkatojmë, por thjeshtë ta largojmë. Aq e ka tepruar sa në këtë sallë të ishte i gjithë populli s’do kishte mbetur kush pa i dhënë leksion e plotë. Zbritjen nga karrigia e lartë që e përdhosi. Mos u takofshin kurrë në raste si ky i sotmi,” deklaroi Spiropali.

***

Deputetët që kanë votuar kundër shkarkimit të Ilir Metës nga posti i presidentit, deri më tani janë:

Artur Roshi, Lefter Maliqi, Suzana Topi,  Fatjona Dhimtri dhe Adriatik Alimadhi.

Mësohet se abstenim ka votuar Ralf Gjoni.

Në tentativën e dytë, socialistët janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit, duke vendosur edhe precedentin e parë në historinë e parlamentarizmit.

Kuvendi i Shqipërisë, është mbledhur në orën 10;00, ku do të miratojë raportin dhe propozimin e komisionit hetimor për largimin e parakohshëm të Presidentit nga institucioni me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën.

Mazhoranca, e cila mori edhe këtë nismë për shkarkimin e Metës, kërkon 94 vota pro raportit të këtij komisioni, ndërkohë nga ana tjetër Presidenti nuk e ka njohur këtë nismë të mazhorancës, madje e ka cilësuar nul dhe anti kushtetuese.

Majko deklaron votën pro shkarkimit të Metës: Më rëndon shumë, për të tjerat të na gjykojë koha

Deputeti Pandeli Majko tregoi në Kuvend arsyet që e bënë të ndërrojë mendje për qëndrimin në raport me kërkesën e socialistëve për të shkarkuar presidentin Ilir Meta. Majko tha se Meta ka qenë pjesë e PS, por sot gjykohet për shkelje të kushtetutës. Duke deklaruar votën pro shkarkimit, ai theksoi se për të tjerat do të gjykojë koha dhe ajo që do të vijë.

“Presidenti Ilir Meta ka shkelur kushtetutën. Ai është bërë promotor i mos seriozitetit të shtetit shqiptar. Në fillim kam qenë kundër kur është bërë nisma e parë por tani jam i bindur për veprimet e presidentit.

Pavarësisht problemeve personale, në marrëdhënie me procesin zgjedhor dhe partnerin tonë SHBA askush nuk i ka askujt borxh. Them më mirë të të urojnë për atë që je se sa të të duan për atë atë që nuk je. Vota pro shkarkimit më rëndon shumë por në thelb ka të vërtetën.

Ilir Meta ka qenë pjesë e jona. Kur është miratuar kushtetuta, ligjvënësit e kanë pasur të qartë momentin e shkarkimit të presidentit. Ne prodhojmë një akt që do kalojë në filtrat e juristëve më me përvojë. Do votoj pro shkarkimit. Për të tjerat të na gjykojë koha dhe ajo që do të vijë”, tha Majko.

Hysi: Meta nuk e respektoi detyrën e tij, u bëri thirrje qytetarëve të rrëzojnë qeverinë

Deputetja Vasilika Hysi deklaroi gjatë fjalës së saj në seancën plenare për votimin e Komisionit Hetimor për presidentin Ilir Meta se kreu i shtetit ka kryer një sërë shkeljesh. Hysi u shpreh se presidenti duhet të sillej me asnjë anësi duke respektuar detyrën e tij dhe jo duke i bërë thirrje qytetarëve të rrëzojnë qeverinë.

“Gjatë fushatës zgjedhore presidenti i republikës kreu një sërë shkeljesh. Komisioni i Venecias ka qartësuar se presidenti nuk duhet të mbajë pozicion politik. Presidenti duhet të qëndrojë jashtë politikës së palëve.

Presidenti jo vetëm që duhet të sillet me asnjë anësi por duhet të përcaktohet të sillet në këtë formë. Misioni i vëzhguesve të OSBE citon sjelljen e presidentit. Misioni thekson se presidenti Meta mban një marrëdhënie të tensionuar me kryeministrin Edi Rama. Fakti që kushtetuta kërkon që presidenti të jetë neutral, rrit barrën e përgjegjësisë për presidentin e republikës.

Ai nuk e respektoi detyrën e tij duke i bërë thirrje qytetarëve të rrëzojnë qeverinë. Presidenti ka shoqëruar me sulme dhe kërcënime gjyqtarë dhe prokurorë të ngarkuar për të hetuar rastet e shkeljes së ligjit”, u shpreh Hysi. 

***

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se shkarkimi i presidentit Ilir Meta është i pakthyeshëm.

Në seancën e Kuvendit, e cila ka nisur orë më parë, Rama tha se Meta si president ka turpëruar identitetin kombëtar në arenën ndërkombëtare.

Sipas shefit të Ekzekutivit në Shqipëri, Meta ka humbur të gjitha shanset për t’u rikthyer në binarët ligjorë.

“Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ka shembur institucionin e garantit të unitetit, ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë parlamentare, Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe shqiptarët në marrëdhënien me SHBA, ka zhgarravitur fytyrën e shqiptarëve në marrëdhënie me të huaj, i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset për t’u kthyer në binarët, nuk mund ta mbajmë në kurriz, prandaj ky parlament duhet të ushtrojë vullnetin e 90% të shqiptarëve për ta shkarkuar nga detyrës, keqardhje për mikun tonë të dikurshëm, por Meta i sotëm nuk mund ta mbajë këtë status”, ka thënë Rama.

Deputetët po vazhdojnë përplasjet në seancën për shkarkimin e Metës, ku pritet të votohet raporti i një Komisioni Hetimor, të ngritur nga socialistët, i cili konstatoi se Meta ka shkelur Kushtetutën, duke anuar gjatë kohës së zgjedhjes. 

Klotilda Bushka përmend studimin e Universitetit të Çikagos: Shkarkimi i presidentit nuk është rrezik për demokracinë

Klotilda Bushka, anëtarja e Komisionit Hetimor ka folur në Kuvend për shkeljet e Presidentit Ilir Meta duke thënë se procedura për shkarkimin e tij nuk duhet të shihet si rrezik për demokracinë.

Për këtë mori shembull një studim të Universitetit të Çikagos duke thënë se nuk ka pasur asnjë ndryshim në nivelin e demokracisë në çdo shtet që është shkarkuar një President.

Bushka ndau shkeljet e presidentit në katër grupe dhe më pas përmendi faktin që e kanë thirrur disa herë në Komisionin Hetimor për të dëgjuar fjalën e tij, por ai refuzoi të merrte pjesë duke mos njohur legjitimitetin e këtij Komisioni.

Klotilda Bushka: Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit, edhe pse konstatoi shkelje kushtetuese për anulimin e 30 qershorit, konfirmuar edhe nga opinioni i Venecias, bazuar edhe në zgjedhjet dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese vendosi të mos i propozojë kuvendit shkarkimin e Presidentit.

Nga këto ngjarje del qartë kultura e këtij kuvendi për të respektuar institucionin e Presidentit. Pavarësisht kësaj, nga një proces hetimor i Komisionit Hetimor përsëriti akte e sjellje të tilla në zgjedhjet e 2021.

Detyra e Kuvendit për procesin aktual është më se e domosdoshme për të mos lejuar abuzimin e kompetencave për këdo që ushtron detyrën e Presidentit. Kjo procedurë nuk duhet të shihet si rrezik për demokracinë. Sipas studimit të fundit të Universitetit të Çikagos, në çdo vend që është shkarkuar një president, nuk ka asnjë ndryshim në nivelin  e demokracisë.

Komisioni Hetimor ka arritur në përfundimin se Presidenti ka kryer shkelje të rënda, të cilat do ti ndaja në katër grupe:

1– Si përfaqësues i unitetit kombëtar, përfshirja e presidentit në fushatën zgjedhore si të ishte forcë politike dhe rolin asnjanës që duhet të ketë, dispozitë që e detyron që të duket asnjanës në sytë e publikut, humbja e neutralitetit të presidentit. Qëndrimi pro apo kundër një force ndikon dhe nga ana tjetër cenon të drejtat e subjekteve politike për tu zgjedhur.

2- Grupi i dytë i shkeljeve lidhen me rendin dhe sigurinë.

3- Grupi i tretë lidhet me integritetin e organeve publike.

4- Grupi i shkeljeve që kanë lidhje me cenimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA.

Të gjitha këto shkelje kanë cenuar dhe aktet e institucionit të Presidentit. Ndër të tjera, Komisioni Hetimor ka marrë hapat që presidenti të dëgjohej, por zgjodhi me dëshirë e këmbëngulje të mos merrte pjesë duke mos njohur legjitimitetin e Komisionit Hetimor.

***

Del vota e parë nga opozita për shkarkimin e Metës, deputeti: Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund

Del vota e parë pro shkarkimit të presidentit Meta. Ajo është deklaruar nga deputeti i opozitës, Arlind Çaçani. Në fjalën e tij ka cilësuar si një ditë jo normale të sotme së cilës nuk mund t’i shmangen dot.

“Presidenti thotë se jam garant i kushtetutës, më duhet ta pyes se në cilin nen të Kushtetutës e keni dhe e keni kthyer në hit një gjë të tillë. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund një herë e përgjithmonë. Kuvendi të marrë me votë unanime për shkarkimin e presidentit. As na nderon një gjë e tillë, por kjo është për shkak të rrethanave”, tha Çaçani.

“Mos na bëni si fëmijë”/ Debati/ Alimadhi: Më jepni raportin me firmën e ekspertit për shkarkimin e Metës

Pas paraqitjes së raportit të posaçëm për shkarkimin e presidentit Meta të lexuar nga kryekomisioneri Alket Hyseni, deputeti i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi ka kërkuar që të njihet me raportin e plotë së bashku me firmën e ekspertit ligjor, ku vërtetohet shkarkimi i presidentit.

“Na e vini në dispozicion materialin e plotë të firmosur nga ekspertët mos na bëni kështu lojëra fjalësh dhe të na trajtoni si fëmijë”, tha Alimadhi.

Ndërsa drejtuesja e seancës, Vasilika Hysi u shpreh se “të gjithë kanë të drejtën për të marrë materialet e kërkuara. Nëse ju nuk keni certifikatën e sigurisë, ju nuk mund të keni akses. Kjo nuk është për të dhënë mësim apo leksion”.

Seanca për shkarkimin e presidentit, Rama s’mungon në seancë, Meta vijon agjendën me aktivitete

Kryeministri Edi Rama ka përfunduar ditën e sotme vizitën dy ditore në Hungari dhe Bullgari ku zhvilloi takime për procesin e hapjes së negociatave.

Gazetarja Esiona Konomi raporton për abcnews se Rama do të jetë në Kuvend në seancën ku socialistët do të votojnë shkarkimin e presidentit Ilir Meta, ku do të mbajë edhe një fjalë në foltoren e parlamentit.

Nga ana tjetër kreu i shtetit ka vijuar normalisht aktivitetet e parashikuara në presidencë, ku gjatë paradites së sotme do të zhvillohet një aktivitet kulturor me Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu”.

Presidenca ka njoftuar se Meta do të nderojë me tituj edhe disa nga personalitetet e shquara të këtij Ansambli, si dhe do të mbajë një fjalë rasti.

Kuvendi e ftoi të merrte pjesë në seancën për shkarkimin e tij, Meta e refuzon

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka refuzuar që të marrë pjesë në seancën e ditës së sotme plenare, ku pritet që të votohet shkarkimi i tij.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se nëse Kreu i Shtetit zgjedh që të shkojë në seancë do t’i jepet e drejta e fjalës, për të diskutuar apo kundërshtuar hetimin e Komisionit hetimor.

Plot 16 shkelje kushtetute i gjeti komisioni hetimor presidentit Ilir Meta, duke i propozuar parlamentit shkarkimin.

Nga ky hetim komisioni hetimor thekson se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fusharë elektorale. Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.

Komisioni mbërriti edhe në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura.

Shkeljet e kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.

Përmes këtij raporti me 97 faqe, të komisionit hetimor, shumica socialiste i drejtohet seancës plenare të 10 qershorit për ta bërë fakt shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga parlamenti.

Ndërkaq Meta ndonëse është thirrur nuk ka pranuar të shkojë në asnjë mbledhje të komisionit.

***

Kreu i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni ka prezanton raportin e Komisionit Hetimor, për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Në fjalën  e tij gjatë seancës plenare, Hyseni shprehet se Raporti i është dërguar edhe Presidentit Ilir Meta, por edhe deputetëve të Kuvendit.

Raporti shtjellohet në 98 faqe dhe në 3 anekse, I ndarë në këta kapituj, përmbledhje ekzekutive e Raaportit, Përmbledhje e fakteve , kuadri ligjor, hapat procedurial, aktet e administruara hetimor, hetimi i shkeljeve të nenit 86 pika, 1, papajtueshmëria në ushtrimin e funksioneve, betimi, hetimi ishkeljeve me marrëdhëniet me jashtë, me rendin dhe sigurinë publike, ndalimi i ushtrimeve të kompetencave, dhe konkluzionet e Komisionit Hetimor. Raporti i është  dërguar edhe Presidentit të Republikës.

Më 30.04.2021 është depozituar kërkesa e 41 deputetëve që kanë paraqitur propozimin për shkarkimin e Presidentit.
Komisioni pasi konstatoi se kërkesa e deputetëve për shkarkimin e Presidentit plotëson kriteret vendosi ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda nga Presidenti të përbërë nga 9 anëtarë."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat