Papunësia në Shqipëri u rrit në tremujorin e parë të vitit

Shqipëria

Papunësia në Shqipëri u rrit në tremujorin e parë të vitit

Më: 11 qershor 2021 Në ora: 20:22
Tiranë

Shifrat e publikuara nga INSTAT në lidhje me papunësinë në tremujorin e parë të këtij viti sugjerojnë se ekonomisë mund t’i duhet më shumë kohë nga sa ishte parashikuar dhe hapja për sezonin turistik mund të mos mjaftojë për të arritur rritjen ekonomike të para pandemisë.

INSTAT thotë se papunësia u rrit në 11.9 për qind, pothuajse sa niveli i saj në kulmin e karantinës pranverën e vitit të kaluar, kur mjaft aktivitete ekonomike u mbyllën e shumë të tjera u pezulluan përkohësisht.

Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri për popullsinë 15 vjeç e lart është 11.9 % në tremujorin e parë e cila krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020, është rritur me 0.5 pikë përqindje.

Në tremujorin e parë 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 67.5 % duke u tkurrur me 2.1 pikë përqindje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 58.3 për qind, ndërsa për burrat ky tregues është 76.9 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është ulur me 3.6 pikë përqindje dhe për burrat është ulur me 0.7 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 59.0 %. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 7.8 % në sektorin e bujqësisë, me 0.3 % në sektorin e shërbimeve dhe rritet me 1.5 % në sektorin e industrisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e parë 2021, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u ul me 0.5 %.

Shkalla e punësimit për burrat është 67.4 %, ndërsa për gratë 50.8 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e punësimit për burrat është ulur me 1,3 pikë përqindje dhe për gratë u ul me 3,4 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 38.9 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2020, shkalla e punësimit është 69.0 %.

Shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rritje. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020,shkalla e papunësisë për të rinjtë, në tremujorin e parë 2021, është 3.3 pikë përqindje më e lartë. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 9.1 %. Në terma vjetorë ky tregues është në të njëjtin nivel, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë, shkalla e papunësisë është ulur me 0.1 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të parë 2021, 11,2 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 70,1 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat