Korça pret karnavalet

Shqipëria

Korça pret karnavalet

Më: 12 qershor 2021 Në ora: 15:37
Korçë

Korça këtë fundjavë është zbukuruar nga kostumet e maskat shumëngjyrëshe të karnavaleve të famshme.

Kanë qenë mbi 400 persona të cilët kanë dalë në rrugët kryesore të qytetit juglindor në paradë, duke u dhënë mundësinë korçarëve dhe të huajve të shijojnë atmosferën.

“Jemi nga Polonia dhe Ukraina dhe vendosëm të vinin në Korçë sot për të parë festën e karnavaleve dhe për të parë se çfarë do të ndodhë. Gjithçka duket kaq bukur, të gjithë janë kaq të buzëqeshur, njerëzit janë bërë shumë të bukur kështu që mendojmë se do të jetë ditë fantastike. Ne e humbëm herën e kaluar këtë festë ndaj jemi të lumtur që jemi këtu këtë vit”, u shpreh një turist.

Amerikani, Mark Stocher, i cili jeton prej vitesh në Kolonjë tregon se është duke u argëtuar, ndërkohë që me vete ka një grup të madh kolonjar.

Ai shprehet se këtë vit këto karnavale do të mbahen dhe në Kolonjë.

“Po kënaqemi. Është një ditë e bukur, shiko diellin sa shkëlqen, sa gjë e bukur. Do bëhet dhe në Kolonjë, është e sigurt. Po fillojmë këtu dhe hajdeni dhe andej”, tha ai.

Pjesë e kostumeve kanë qenë personazhet vizatimorë, komikë dhe televizivë.

“Them se i përshtatet duke marrë parasysh se kemi qenë 500 vite të nënshtruar ndaj otomanëve. Thamë të sjellim diçka dhe rigjenerojmë atë fabulën”, tha një qytetar.

“Ne sot simbolizojme bletët punëtore, të cilat janë sezoni i pranverës të cilat shkojnë në lule dhe nxjerrin mjaltë dhe ne na pëlqejnë shumë bletët”, u shpreh një vajzë e vogël.

Kjo festë ka filluar mëngjesin e sotëm e do të kulmojë në mbrëmje me një “Street party carnaval” në Pazarin e Vjetër të Korçës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat