FMN: Qeveria të përmbahet nga projektet ambicioze

Shqipëria

FMN: Qeveria të përmbahet nga projektet ambicioze

Më: 12 qershor 2021 Në ora: 17:17
Foto ilustrim

Qeveria shqiptare duhet të vetëpërmbahet nga financimi i projekteve madhore në këtë periudhë dhe të përqëndrohet më shumë te shpenzimet prioritare, siç janë rindërtimi nga pasojat e tërmetit, shëndetësia dhe pasojat sociale të pandemisë.

Kjo ka qenë këshilla që një mision vëzhgues i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përcjellë për qeverinë shqiptare në përfundim të një misioni mbikëqyrës të mbajtur në distancë për shkak të pandemisë.

“Është më e këshillueshme moderohen investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor, sidomos vaksinimin dhe rindërtimin nga tërmeti”, thuhet në deklaratën misionit vëzhgues të FMN të drejtuar nga Yan Sun.

Vërejtje ka edhe për procedurat e tenderave për rindërtimin, fondet e të cilit nuk përfshihen në buxhetin e shtetit, por janë kaluar në një zë të veçantë të quajtur “Fondi për Rindërtimin” që menaxhohet nga Ministria e Rindërtimit. FMN kërkon më shumë kontrolle për këto fonde.

“Ndonëse e justifikueshme menjëherë pas tërmetit, përdorimi i procedurave të kufizuara në tenderat për rindërtim duhet të ndërpriten dhe fondet e rindërtimit duhet t’i nënshtrohen kontrolleve adekuate të menaxhimit të financave publike”, deklaron FMN.

Fondi këshillon gjithashtu që Qeveria t’i përmbahet parashikimit për deficitin për të mos e thelluar atë më tej dhe në këtë kontekst vlerëson se shifra prej 65 mld lekësh, që përkon me 3.8 për qind të PBB-së është e mjaftueshme. Sipas FMN-së, qeveria shqiptare mund të konsiderojë stimuj shtesë ekonomikë vetëm në rast se rritja ekoknomike e parashikuar nuk realizohet.

“Nëse do të ketë të ardhura shtesë, ato duhet të kursehen. Për të ndihmuar rindërtimin e hapësirës së nevojshme të politikës fiskale sapo rimëkëmbja të jetë në një rrugë të mbarë, inisiativat e planifikuara nga autoritetet shqiptare duhet të jenë në përputhje me objektivin e arritjes së një ekuilibri primar fiskal pozitiv deri në vitin 2023 dhe të mbështeten nga një kuadër i besueshëm buxhetor afatmesëm”, këshillon FMN.

Sipas FMN, ekonomia u tkurr nga pandemia më pak nga sa pritej dhe parashikon një rritje ekonomike prej 5.3 për qind për këtë vit, por thekson se pasiguria mbi perspektivën e rritjes mbetet e lartë.

Porosia e fundit e ekspertëve të FMN-së është miratimi i një strategjie të shëndoshë për të ardhurat dhe reforma të tjera prioritare përfshirë përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike dhe rritjen e monitorimit dhe menaxhimit të rreziqeve fiskale në rritje, veçanërisht nga partneriteti privat publik, ndërmarrjet shtetërore dhe garancitë qeveritare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat