Elbasan/ Shtëpitë muze të mbyllura, Toska: Nëse nuk ndërhyhet do humbë e kaluara e lavdishme

Shqipëria

Elbasan/ Shtëpitë muze të mbyllura, Toska: Nëse nuk ndërhyhet do humbë e kaluara e lavdishme

Më: 13 qershor 2021 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Shtëpinë e “Aleksandër Xhuvanit”, në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit, familjarët e Xhuvanit që e trashëguan ia dhuruan bashkisë.

Por duket se kjo iniciativë ka dështuar, pasi Bashkia vetëm e ruan këtë shtëpi të kësaj figure të shquar, asgjë tjetër s’ka kryer që pas kalimit të pronësisë. Duhej që këtë shtëpi muze ta kthente në të vizitueshme.

Bashkia paguan për ta ruajtur një kompani private dhe askush nuk ka akses të hyjë për të parë asetet e mësuesit të popullit, “Aleksandër Xhuvanit”.

Kjo shtëpi ka rreth 30 vjet që qëndron mbyllur. Është ndërtuar rreth viteve 1936-1938 nga gjuhëtari, me kursimet që kishte mbledhur nga puna e tij si drejtor i Normales dhe si shkrues tekstesh.

Vetë nuk jetoi gjatë këtu, pasi pas luftës nacional-çlirimtare u largua për në Tiranë, por fëmijët e tij u rritën në këtë shtëpi.

Godina ka dy hyrje, njëra nga rruga kryesore dhe tjera ka dalje në kala.

Pjesë e rëndësishme e kësaj shtëpie është biblioteka, tavolina e tij e punës me dorëshkrime të tij.

Drejtuesja e Departamentit të Gjuhësisë në Universitetin, “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Teuta Toska thotë se gjatë demokracisë nuk ka pasur asnjë investim për historinë dhe kulturën e qyteti. Sipas saj shtëpia e kësaj figure të shquara të qytetit është kthyer në magazinë.

“Duhet të funksiononte si galeri arti dhe jo vetëm s’ka funksionuar është bërë një magazinë që ka vepra të piktorëve të qytetit.  Jo vetëm që s’kemi një galeri po as muze sepse shtëpia qëndron e mbyllur. Donim të bënim një konferencë shkencore në këtë shtëpi para disa vitesh, por nuk na u dha asnjë mundësi nga bashkia. Atë shtëpi kemi ëndërr, ta përdorim për promovimeve librave për seminare me studentët që të krijohet një lidhje e bukur me trashëgiminë që Elbasani ka”, tregon Toska.

Toska ndjen keqardhje dhe për degradimin e shtëpive të tjera muze.

“Pothuajse është shkatërruar çdo gjurmë e identitetit. Nuk di ku mund të shkohet dhe të përkujtohet shkolla, Normale e Elbasanit. Figura si Kostandin Kristoforidhi, nuk kanë një vend ku mund ta përkujtosh ose të informohesh për këtë figurë. Shtëpia muze e Kristoforidhit në lagjen “Kala”, ku është edhe shtëpia e Dhimitër Shuteriqit është në gjendje të mjerë. E kanë mbuluar ferrat! Shtëpia e Lef Nocit mund të ishte dhe ajo muze, të cilën e ka bashkia në administrim, por e kanë marrë organizatat joqeveritare”, shton më tej ajo.

Nëse nuk vihet dorë për restaurimin e këtyre shtëpive muze dhe ato nuk hapjen, sipas profesoreshës së gjuhësisë, Elbasanit do ti humbë lidhja me të kaluarën.

“Duhet të hedhin sytë me xhelozi në qytete si Shkodra dhe Korça, ku ke çfarë viziton. Në qytetin tonë nuk di ku të çoj shqiptarë dhe të huajt që të shikojnë diçka që vlen vërtet, përveçse në ndonjë biznes privat. Shpresoj që gjendja të ndryshojë sa më shpejt, përndryshe do kemi zhbërje të kujtesës dhe ky qytet nuk do ketë më lidhje me të kaluarën e vet të lavdishme”, shprehet më tej Toska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat