Kushtetuesja merr në dorë këtë javë dosjen për Metën

Shqipëria

Kushtetuesja merr në dorë këtë javë dosjen për Metën

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 08:46
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese pritet të marrë këtë javë vendimin për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra. Të mërkurën kundër tij votuan 104 deputetë dhe brenda 5 ditësh u bë me dije se dokumenti do i dërgohej gjykatës. Ky afat skadon sot dhe Kuvendi do vërë në lëvizje Kushtetuesen për të vendosur nëse kemi të bëjmë me shkelje të rënda nga ana e presidentit apo nuk kemi elemente që mund të sjellin shkarkimin e tij. Vendimi i Kushtetueses do të jetë me një rëndësi shumë të madhe, pasi do të mbetet precedent për të gjitha vitet që do të vijnë më pas. Gjykata ka 7 anëtarë dhe i vetmi rezultat që mund të shkarkojë presidentin është që të ketë 5 vota pro Kuvendit. Nëse kemi rezultat 4 me 3 atëherë nuk merret dot vendim. Për këtë arsye po tentohet që të kemi 9 anëtarë në Kushtetuese në mënyrë që vendimi të jetë i plotë.

Gjykata e Lartë pak ditë më parë hapi garën për 3 vende vakante në Kushtetuese dhe më pas emrat do i kalojnë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky Këshill vitet e fundit është përballur me akuza dhe me sulme të forta, por këtë vit duket se procesi do të mbyllet shumë më shpejt se vitet e kaluara. Detajet janë bërë të ditura në dy mbledhjet e vetme që janë zhvilluar këtë vit në KED.

Mbledhja e parë u zhvillua më 14.01.2021 ku u bë dhe konstituimi i Këshillit duke qenë se në dhjetor u zgjodhën anëtarët e rinj. Ndërsa mbledhja e dytë u mbajt më 26 shkurt. Në të dyja këto mbledhje është diktuar mbi mënyrën se si do të operojë KED këtë vit, ku së pari do të bëhet një rishikim i rregullores për të shmangur vonesat. Po ashtu është kërkuar që të ketë më shumë staf dhe mbështetje për të mos krijuar vonesa me verifikimin e kandidatëve.

Diskutimet në Këshill

Në mbledhjen e mbajtur në janar është diskutuar mbi nevojat që ka KED. Anëtarja Marsida Xhaferllari ka deklaruar se mbështetja vitin që kaloi ka qenë minimale prandaj duhet më shumë mbështetje. “Ne mjafton t’i referohemi raportit vjetor që ka miratuar KED-ja 2020 dhe në këtë raport vjetor lidhur me mbështetjen që Gjykata e Lartë ka dhënë, është etiketuar si mbështetje tejet e kufizuar. Në faqen e parafundit të raportit, është vlerësuar vullneti i mirë dhe bashkëpunimi i KED-së dhe Gjykatës së Lartë, por thuhet se mbështetja është e kufizuar dhe fjalia e fundit e këtij paragrafi thotë: “ .... kjo ka sjellë rezultat pamundësinë objektive që

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të përmbush në mënyrën dhe në kohën e duhur disa nga detyrimet e tij”, tha ajo. Të njëjtën mendim shfaqën dhe shumë anëtarë të tjerë. Një element tjetër i diskutuar është rishikimi i rregullores. “Është një detyrim i papërmbushur që nga mbledhja e datës 6 shkurt 2020-të KED 2020, ku në pikën e tretë të rendit të ditës, është miratuar ngritja e grupit të punës për miratimin e rregullores së brendshme, gjë e cila nuk u arrit të bëhej.

Gjithashtu duhet që KED e këtij viti, të shikojë nëse ligji ka nevojë për akte të tjera nënligjore”, tha përfaqësuesi i Avokati të Popullit. Po ashtu u bë me dije se të gjithë anëtarët janë pajisur me certifikata sigurie dhe kjo nuk do krijojë asnjë problem në verifikimin e kandidatëve. Në mbledhje është bërë po me dije se nëse kandidatët që do vijnë nga Gjykata e Lartë e kanë kaluar vetingun, procesi nuk do të vonojë. Sinjalet janë se Kushtetuesja do jetë me 9 anëtarë kur të vendosë për Metën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat