Kapet në Rinas "i forti" me dy mbiemra

Shqipëria

Kapet në Rinas "i forti" me dy mbiemra

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 12:37
Rinas

Policia shqiptare falë bashkëpunimit me partnerët ka vënë sot në pranga një 41 vjeçar nga Tirana, të kërkuar në Itali për grabitje me armë dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

"Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, si rezultat i forcimit të kontrolleve në hyrje-dalje, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana me zyrën homologe në Interpol Roma/Itali, Departamentin e Policisë Kriminale dhe DRKM Tiranë, bënë të mundur arrestimin e shtetasit shqiptar B. Q. alias B. S., 41 vjeç, banues në Tiranë.", bën me dije policia.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Torinos/Itali, në vitin 2019, ka lëshuar urdhër arresti për veprën penale “Organizatë kriminale” dhe “Grabitje me armë”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Për çfarë akuzohet?

Shtetasi i mësipërm akuzohet për organizatë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave me përdorimin e armëve të zjarrit. Në rolin e drejtuesit të organizatës kriminale ai siguronte automjetet dhe armët, me qëllim kryerjen e krimeve. Ky shtetas është akuzuar dhe për mbajtje të armëve në publik.

Arrestimi provizor u krye me qellim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe Marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat