“Tim bir e vrau Policia, askush nuk përgjigjet për këtë”/ Nëna e Albert Muharremit kërkon drejtësi

Shqipëria

“Tim bir e vrau Policia, askush nuk përgjigjet për këtë”/ Nëna e Albert Muharremit kërkon drejtësi

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 16:17
Razie Muharremi dhe Albert Muharremi

Razie Muharremi, nëna e të ndjerit Albert Muharremi, i vrarë nga Policia në qendër të qytetit Burrelit, në qershor të vitit 1997 ende nuk gjen qetësi nga drejtësia e munguar.

Ajo prej 24 vitesh rend në dyert e organeve shtetërore dhe kërkon drejtësi për vrasjen e djalit.

“Prej vitit 1997 kam kërkuar zbardhjen e së vërtetës, pasi një qytet i tërë i ka parë Forcat Speciale kur qëlluan mbi djalin tim të pafajshëm. Kam shkruar dhjetëra letra për presidentët, kryeministrat, ministrat e drejtësisë dhe nuk kam marrë një përgjigje të saktë”, shprehet Razie Muharremi. Ka bërë kërkesë padi prej disa vitesh para Gjykatës së Matit dhe ka kërkuar detyrimin e palës së paditur, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, ish-Reparti i Ndërhyrjes së Shpejtë 711, në vartësi të Ministrisë së Brendshme, të paguajë dëmin e ardhur nga vrasja e djalit.

Nëna e Albert Muharremit thotë se dëmshpërblimin nuk e kërkon për të përfituar para për vete, por për të çuar deri në fund të vërtetën dhe për t’i përdorur ato para për bamirësi.

“I kam shkruar ish-Presidentit, Sali Berisha, kryeministrave të vendit, ministrave të drejtësisë, ish-kryeprokurorëve dhe kërkesa e vetme ka qenë zbardhja e së vërtetës: Kush ma vrau djalin e pafajshëm në qendër të qytetit? Nuk dua emrin e autorit, dua të faktohet se shteti më vrau djalin para syve të mi”, thotë Muharremi. Mësohet se banorë të qytetit Burrelit, dëshmitarë okularë në momentin kur efektivët kanë qëlluar me breshëri në sheshin “Demokracia”, kanë deklaruar në Prokurori rreth ngjarjes.

“Të shtënat vinin nga pozicioni ku qëndronin Forcat Speciale të Policisë që kishin ardhur  nga Tirana. Albert Muharremi është plagosur nga i njëjti punonjës Policie që ishte pozicionuar pranë kryqëzimit të Spitalit. Viktima, Albert Muharremi, është vrarë gjatë gjuajtjes me armë zjarri të punonjësit të Policisë së Repartit 711”, janë disa nga deklarimet e dëshmitarëve në organet e drejtësisë.

Aktualisht, procesi për vrasjen e Albert Muharremit ndodhet në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë që dëshmitarët, mjekët dhe hetuesit kanë faktuar se vrasja është kryer nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Kohët e fundit nëna e të ndjerit kërkon që SPAK-u ta rihetojë ngjarjen e rëndë dhe ajo të zbardhet.

Albert Muharremi është shpallur “Qytetar Nderi” i Burrelit nga Këshilli Bashkiak, madje familja kërkoi që ai të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat