Drama e medaljeve të Shqipërisë

Shqipëria

Drama e medaljeve të Shqipërisë

Nga: Klodian Tomorri Më: 14 qershor 2021 Në ora: 18:08
Klodian Tomorri

Përgjithësisht shqiptarët kanë një raport të çuditshëm me garën. Duan gjithmonë vendin e parë. Edhe atëherë kur nuk kanë aftësinë për të fituar. E meqë politika është arti i të pamundurës, ajo ia u servir lugën bosh me qejf. Ndoshta nuk është rastësi, që sot Shqipëria ka më shumë trofe ndërkombëtarë edhe se sa Reali i Madridit. Që nga medalja për ushqimin e Sofo Lazrit në Meksikë, mundja e Gjermanisë me rritjen ekonomike, përballimi i pandemisë më mirë se kushdo tjetër në Europë, e deri tek çmimet e para të përjavshme, që merr Erion Veliaj për Tiranën si qyteti me cilësinë më të mirë të jetës. Non ducor, duco!

E megjithatë, medalja e radhës erdhi vetëm pak kohë më parë. Teksa vendi po hynte në fushatën elektorale, Edi Rama e shpalli Shqipërinë lider për qeverisjen dixhitale në rajon. Kryeministri tregoi se tashmë janë 1.87 milionë qytetarë të regjistruar në platformën dixhitale dhe numri i transaksioneve ka arritur në 145 milionë. Me fjalët e zotit Rama; Tani nuk ka më nëpunës shteti, të cilët presin tufat e qytetarëve në zyrat e shtetit si cjapi tek kasapi, por shërbimet merren me vetëm një click.

Dikush mund të konstatojë me të drejtë se mashtrimet e klasës politike nuk tregojnë domosdoshmërisht karakterin e një populli. Kjo qëndron, për sa kohë populli i ndëshkon sunduesit, që e gënjejnë. Por në Shqipëri kjo nuk ndodh. Populli i dixhitalizuar shqiptar e dëgjoi qeverinë, e besoi dhe e votoi. Të gjithë të lumtur. Por ka një problem!

Milionat e transaksioneve dixhitale dhe miliona shërbimet që qytetarët marrin përmes e-albanias kanë eliminuar sportelet e tmerrshme të zyrave shtetërore. Por jo ata që rrinë pas sporteleve. Në fakt me ta ka ndodhur e kundërta. Në vitin 2012, Shqipëria kishte 163.8 mijë vetë të punësuar në sektorin publik. Sot ka 184 mijë vetë ose 20 mijë me shumë. Pra mijëra punonjësve të shtetit, të cilët dikur rrinin pas sporteleve dhe prisnin tufat e qytetarëve si cjapi tek kasapi, tani që rrinë kot u janë shtuar edhe disa mijëra të tjerë.

Por dixhitalizimi nuk është reforma e vetme madhore e qeverisë. Më parë ishte ndarja administrative, pastaj koncesionimi masiv i shërbimeve publike, reforma e institucioneve, administratës publike e kështu me radhë. Ndarja administrative u tha se do eliminonte mijëra bashki dhe komuna parazite duke shkurtuar më shumë se përgjysmë numrin e të punësuarve të pushtetit vendor.

Koncesionimi në seri i shërbimeve publike do të rriste cilësinë e shërbimeve për qytetarët, por do të ulte dhe barrën e pagave për buxhetin. Madje për sektorë të caktuar si ai i shëndetësisë, ku janë koncesionuar hallka të tëra të sistemit, ulja e të punësuarve në shtet duhet të ishte ishte e theksuar. Por Shqipëria dixhitalizohet, koncesionohet, reformohet, ndërsa administrate fryhet dhe korrupsioni rritet.      

Paradoksi i 20 mijë ushtarëve shtesë që Edi Rama ka vënë në kurrizin e taksapaguesve nuk ka asnjë shpjegim logjik. Këta nuk janë mjekë sepse Shqipëria nuk ka më shumë spitale sot se dikur. Nuk janë as mësuesë sepse Shqipëria tani ka më pak shkolla se sa kishte më parë. Këta një dreq e merr vesh se çfarë janë. Ndoshta militantë, të cilët partia i sistemon në borderotë e shtetit edhe fiktivisht. E ndërsa parazitët shtohen, qytetarët pagujnë rrogat e tyre.    

Problemi është se Shqipëria e çmimeve të para botërore po bëhet shumë e kushtueshme. Tashmë historia e ka shtruar rrugën dhe e ardhmja ndjek historinë. Në katër vitet që vijnë, Shqipëria do të marrë çmime të tjera botërore për dixhitalizimin, qeverisjen efiçente dhe reformat e mëdha. Por pas çdo çmimi korrupsioni do të rritet, ndërsa rrogëtarët e shtetit po ashtu. Ad Maiora Semper!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat